“Deti”, nxeh debatin politik, Rama: Artisti shet sapunin për djath! Basha: Sapuni do të të duhet më vonë

Marrëveshja e detit me Greqinë ka kthyer serish debatin politik në vend në një fazë të nxehtë. Partia Demokratike akuzon Qeverinë për mungesë transparence në bisedimet me Greqinë për çështjen e kufirit detar. Duke marrë shkas nga deklarata e Athinës për t’u zgjeruar me 12 milje në Jon, opozita thotë se ka ngritur një ekip me ekspertë të së drejtës së detit dhe së drejtës ndërkombëtare që po e shqyrton këtë çështje.

Nga gjetjet e deritanishme, PD vë re se Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit jo domosdoshmërisht ja njeh Greqisë këtë të drejtë. Duke cituar nenin 3 të kësaj Konvente, ku flitet për të drejtën e një vendi bregdetar që të zgjerojë ujërat territoriale deri në 12 milje, PD thotë se ka disa dispozita të tjera të Konventës, ku përcaktohet se ky nen nuk zbatohet.

PD citon nenin 15, sipas të cilit kur brigjet e dy shteteve gjenden përballë, ose ngjitur me njëri-tjetrin, asnjë prej tyre nuk ka të drejtë të zgjerojë detin territorial përtej vijës së mesme, përveçse në rastet kur parashikohet ndryshe.

Ekipi i ekspertëve të opozitës thotë se i njëjti parim zbatohet edhe për ndarjen e zonave ekskluzive ekonomike dhe shelfin kontinental. Për këto arsye, PD nënkupton se vendimi i njëanshëm i Greqisë bie ndesh me Konventën, pasi nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare me Shqipërinë.

“Derisa të mos jetë përfunduar një marrëveshje mes tyre, shtetet duhet të sillen në mënyrë të tillë që të mos venë në rrezik ose të pengojnë arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, thotë opozita, duke cituar nenet e Konventës.

Partia Demokratike kërkon që të bëhet kujdes nga grupi negociator shqiptar, duke patur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetutese të vitit 2010 dhe peshën e rolin e ishujve grekë në përcaktimin e vijës bazë. Për këto arsye, PD thekson se kjo çështje ka nevojë për transparencë dhe informacion të thelluar për çfarë po ndodh dhe ku po zgjerohet shteti grek.

Në fund, PD thotë se mbështet zgjidhjen e çdo çështjeje të mbetur pezull me Greqinë, por duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2010 dhe në të gjitha rrethanat pa cenuar integritetin territorial të Shqipëria.

“Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë Rama të ndalë fushatën e sulmeve dhe gjuhën denigruese dhe të bëjë transparencë të plotë mbi të gjitha çështjet e lartpërmendura”, mbyllet deklarata.

Replika Rama-Basha

Pas kësaj deklarate të Partisë Demokratike ka reaguar përmes rrjeteve sociale, Kryeministri Edi Rama në një postim të shkurtër ironizues.

“Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD! Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD, apo të qeshësh me këtë Artist që s’e ka shokun për të bërë sikur? Je i madh Lul, sinqerisht. Shyqyr s’u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit!”, shkruan Rama.

Po përmes rrjeteve sociale i është përgjigjur Lulzim Basha.

“Lëri dërdëllitjet prej rrugaçi Edi Rama. Bëj transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin. Historitë me sapun ruaji se do të duhen më vonë…”, shkruan ai.

Rama i kundërpërgjigjet duke i thënë se negociatat me Greqinë janë ndalur që pas ndryshimit të Qeverisë në Athinë, ndërsa i kujtoi Bashës se është ai që ka firmosur si ministër i Jashtëm marrëveshjen e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

“S’ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes! Po ti mos bëj sikur nxehesh, se s’ta kam unë fajin kur bën sikur s’je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK! Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s’ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s’e bëni dot”, thotë Rama.

Basha këmbëngul tek transparenca dhe akuzon Ramën për marrëveshje të fshehtë në dëm të interesave të shqiptarëve.

“Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërr-vërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”, shkruan ai.

Replika dhe me Metën

Nga Vjena, ku ndodhet për punimet e Këshillit të Posaçëm të OSBE-së për krizën në Bjellorusi, Kryeministri Edi Rama komentoi edhe çështjen e detit me Greqinë. Duke iu referuar synimeve të Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në Detin Jon, kreu i Qeverisë tha se ky vendim i Athinës nuk duhet të ngatërrohet me bisedimet mes dy vendeve për të përcaktuar kufirin detar dhe zonat ekskluzive ekonomike.

“Deklaratat e kryeministrit grek për zgjerimin e ujërave të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tanë dhe me marrëveshjen që po punojmë dhe nuk e kemi arritur akoma me palën greke. Shtrirja me 12 milje është një e drejtë e çdo vendi. Shqipëria e ka ushtruar dhe ne jemi shtrirë në ujërat tanë me 12 milje që në vitin 1990”, tha Rama.

Rama kërkoi që të mos krahasohet situata mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe ajo mes Greqisë dhe Turqisë.

“Ajo që po ndodh mes Turqisë dhe Greqisë është një mosmarrëveshje për delimitimin e ujërave territoriale, që ne jemi duke e trajtuar në mënyrë konstruktive, por për të cilën nuk kemi një rezultat përfundimtar dhe dakordësimin e dy palëve”, vijoi ai.

Rama i cilësoi spekulime edhe disa harta që janë publikuar në mediat greke kryesisht, sipas të cilave Greqia zgjeron ujërat territoriale edhe në veri të Korfuzit, deri pranë brigjeve të Vlorës. Kryeministri thumboi edhe Presidentin Ilir Meta, që një ditë më parë siguroi se në çështjen e detit me Greqinë do të mbrojë Kushtetutën.

“Presidenti duhet të informohet mirë dhe të mos ngatërrojë Kushtetutën e Shqipërisë me të drejtën e detit të Greqisë dhe që nuk ka lidhje me Shqipërinë. E përcakton konventa ndërkombëtare dhe nuk prek ujërat e Shqipërisë. Është si puna e kanioneve të Skraparit, ka shkëmbinj nga njëra anë dhe shkëmbinj nga ana tjetër dhe në mes rrjedha ujore. Konventa u ka dhënë të drejtën të dy shkëmbinjve mundësinë që të marrin nga ajo rrjedhë ujore brenda anës së tyre dhe jo të kapërcejnë lumin dhe të kapin shkëmbin tjetër, të marrin milje në mënyrë të barabartë. Shqipëria i ka marrë, Greqia do i marrë. Presidenti të jetë shumë i qetë, se nuk është rasti për të bërë rafting me Kushtetutën, me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe fqinjësinë e mirë”, tha ai./h.e

 

Argumentum.al