Kriza në Bjellorusi, Rama si kreu i OSBE: Nuk ndërhyjmë në çështjet e brendshme

Në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, Kryeministri Edi Rama iu drejtua takimit special të Këshillit të Përhershëm mbi situatën në Bjellorusi. Në Vjenë është mbajtur sot mbledhja e Këshillit Special të OSBE, ku mbajti fjalen  pjesë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama në cilësinë e kreut të kësaj organizate.

Në fjalën e tij në nisje të kësaj mbledhjeje, kryeministri shqiptar u shpreh se OSBE, si një organizatë gjithëpërfshirëse që bazohet në radhë të parë në respektimin e të drejtave të njeriut. nuk synon të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Bjellorusisë, por është e gatshme të mundësojë një dialog sa më shpejt mes qeverisë dhe opozitës në mënyrë që të marrë fund sa më parë situata e rrezikshme që është krijuar në këtë vend.

“Secili duhet të bëjë atë që mundet për të ndihmuar dhe OSBE-së për të ndihmuar Bjellorusinë në këtë udhëkryq mjaft të rrezikshëm. Situata është e vështirë, ndasitë janë të thella, dhuna është  gati të shpërthejë. Por që vendi të ecë përpara në mënyrë të sigurt, do të duhet mirëkuptim dhe bashkëpunim. Dhe roli ynë duhet të jetë që të ndihmojmë që kjo të ndodhë. Tri gjëra duhet të jenë të qarta;

Së pari, sado të forta të jenë opinionet që kemi, nëse duhet të luajmë rol konstruktiv, nuk na takon të ndërhyjnë në çështjet e brendshme;

së dyti, sado të forta të jenë ndjenjat që ne si individë mund të kemi teksa shohim të tilla skena, nuk na takon ne të marrim anë;

Së treti ne nuk po kërkojmë dhe as nuk duhet të kërkojmë rolin e vjetruar mes dy palëve, thjesht duam të ndihmojmë Bjellorusinë në këtë moment, siguri dhe bashkëpunim me secilin prej nesh”, tha kryeministri shqiptar.

Z. Rama iu drejtua autoriteteve në Bjellorusi që të pranonin ofertën për dialog dhe zgjidhje të krizës, teksa u tregua i gatshëm që personalisht të bëhej ndërmjetës për të lehtësuar sa është e mundur arritjen e bisedimeve.

Në cilësinë e kryesuesit të OSBE, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se është domosdoshmëri që ky dialog të arrihet sa më shpejt, në këtë moment përpara se situata të precipitojë më tej.

“Duhet të ketë dialog mes qeverisë dhe forcave kundër saj dhe ne mund të luajmë një rol për ta lehtësuar këtë. Sa më shpejt aq më mirë për të ndaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës. Ne nuk mund ta zgjidhim këtë, duhet të zgjidhet në Minsk.

Në këtë moment shenjat nuk janë të mira, nuk ka dialog, nuk ka mirëkuptim për të gjetur një rrugë të përbashkët.

Mbetem i gatshëm që ta krijoj këtë mundësi dhe shpresoj të jem në gjendje të ndihmoj sa më shpejt për të ndihmuar të shkrihet akulli mes palëve që të nisë një proces dëgjimi për të mbështetur popullin e Bjellorusisë që të zgjedhë vetë për vendin e vet.

Shpresoj të ketë një përgjigje pozitive nga qeveria e Bjellorusisë. Nuk është imponim, është OSBE që ofron veten të ndihmojë Bjellorusinë. Zgjidhja duhet gjetur tani”, u shpreh kryeministri Rama.

Një ditë më parë kryeministri Rama zhvilloi edhe një takim me Stephen Biegun, zëvendës sekretar Shteti në SHBA, me të cilin diskutoi për zhvillimeve të fundit në Bjellorusi, ku OSBE po përpiqet të marrë një rol ndërmjetësimi.

Si kreu i OSBE, kryeministri Rama ka propozuar të vizitojë Minskun për të ndërmjetësuar dialog dhe zgjidhje të krizës pas zgjedhjeve presidenciale.

Prej javësh Bjellorusia është përfshirë në protesta masive të qytetarëve që kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit Aleksandër Lukashenkos. Zgjedhjet janë konsideruar jo të lira dhe nuk janë njohur nga BE.