Shqiptari Abazoviç zgjedh proserbët, Gjukanoviç del në opozitë

Shqiptari Dritan Abazoviç ka zgjedhur partitë proserbe dhe proruse per të mbështetur në formimin e Qeverisë së re në Mal të Zi, duke nxjerrë në opozitë partinë e Presidentit Milo Gjukanoviç për herë të parë pas 30 vitesh.

Është rënë dakord që koalicioni i ri të ngrihet mbi themelet e disa parimeve. Së pari, që qeveria e re të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare.

Parimi i dytë ngarkon qeverinë e re që të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me Bashkimin Europian sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, që qeveria e re do të përbëhet nga ekspertë, pavarësisht nga karakteristikat e tyre politike, fetare, etnike, ose ndonjë karakteristikë tjetër.

Së katërti, qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, duke ndryshuar të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore të kritikuara nga opozita si diskriminuese, përfshirë këtu ligjin që sekuestron pronat e kishës ortodokse serbe, që kjo e fundit nuk mund të provoje me dokumentacion zotërimin historik të tyre.

Përfaqësuesit e koalicionit, Zdravko Krivokapiç, Aleksa Beçiç dhe Dritan Abazoviç zotohen që të shtrijnë duart përfaqësuesve të popujve pakicë me dëshirën për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të zhvilluar për Malin e Zi./h.e