PEC/ 366 gazetarë kanë vdekur nga COVID-19 në mbarë botën

Të paktën 366 gazetarë në 47 vende kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19) që nga fillimi i muajit mars, thuhet në raportin e organizatës joqeveritare "Press Emblem Campaign" (PEC), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sekretari i Përgjithshëm i PEC, me qendër në Gjenevë të Zvicrës, Blaise Lempen, në sesionin e 45-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se ka një rritje të mprehtë në vdekjen e gazetarëve nga COVID-19, veçanërisht në Indi në ditët e fundit.

Lempen i bëri thirrje Këshillit me 47 anëtarë që të merret vendim për përforcimin e mbrojtjes së gazetarëve nga kriza globale shëndetësore.

Sipas të dhënave të PEC, që nga fillimi i marsit në 47 vende në mbarë botën kanë humbur jetën 366 gazetarë nga COVID-19.

Vdekja më e lartë në vendet e Amerikës Latine

Hulumtimi i PEC tregon se nga virusi në vendet e Amerikës Latine kanë humbur jetën 205 punonjës mediatik, në Azi 90, në Evropë 28, në Afrikë 22 dhe në Amerikën Veriore 21. Peruja është në rend të parë me 82 punonjës mediatik, më pas vijon Ekuadori me 40, India 36 dhe Bangladeshi 31.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në Shqipëri COVID-19 ka prekur 14 gazetarë gjate 6 muajve të fundit, por nuk ka raste të vdekjeve.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani jetën e kanë humbur dy punonjës mediatik nga COVID-19.

PEC gjithashtu njofton se që nga fillimi i vitit në mbarë botën 54 gazetarë janë vrarë me shkaqe të ndryshme, kështu që numri i punonjësve mediatik ka tejkaluar shifrën 400.