Bastisja e zyrave të UÇK-së-/ A i njeh EULEX-i institucionet e Kosovës?

EDITORIAL

Selia e Organizatës së Veteranëve të UÇK’së në lagjen Qafa u bastis mëngjesin e sotëm nga rreth 50 policë ndërkombëtarë, të maskuar e të armatosur. Këta policë qëndruan për disa orë brenda zyreve të veteranëve, derisa kur dolën morën me vete edhe kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin. Ai u nxorr jashtë i prangosur nga dhjetëra policë të EULEX’it.

Ky arrestim i Gucatit ishte surprize pasi ndaj Gucatit nuk ka pasur aktakuzë të ngritur nga Haga. Ai madje nuk ka qenë asnjëherë as i intervistuar nga prokurorët e Hagës. Por mendohet se arsyeja mund të jetë çështja e publikimit të dosjeve, që e ka bërë OVL-ja e UÇK-së.

Eshtë kjo ajo çfarë raportohet nga mediat kosovare për atë që  ndodhi sot në selinë e Veteranëve të UCK-së.

Kujtojmë se  java e fundit ka qenë plot zhvillime në raport me Tribunalin. Shoqata e Veteranëve të Luftës ka vazhduar me publikimin e disa dosjeve që kanë rrjedhur prej Tribunalit. Një person i paidentifikuar ka dërguar në seli të Shoqatës mijëra faqe të dosjeve.

Dosjet e Tribunalit Special konsiderohen konfidenciale dhe madje me ligj dënohet secili zbulim i personave që në çfarëdo forme janë pjesë e hetimeve të Prokurorisë së Hagës. Pas secilës herë që OVL-ja publikonte dosje, policë të EULEX-it dhe hetues të Speciales bastisnin zyrat e tyre dhe konfiskonin dosjet. Sot, policia mori edhe Gucatin me vete.

Nga dokumentet që publikoi OVL-ja, e që nuk dihet nëse janë origjinale, u zbuluan emra të dëshmitarëve të mbrojtur, emra të të akuzuarve, llojet e akuzave e shumëçka tjetër. Disa prej tyre u publikuan nga një medium në Shqipëri.

Vetë Presidenti  Kosovës, Hashim Thaçi i cili pak muaj më parë u intervistua nga Gjykata Speciale në Hagë, dyshoi për origjinalitetin e këtyre dosjeve një natë më parë në një interviste në emisionin “ Opinion” duke thënë  “ Nga një anë nuk dihet vërtetësia dhe origjinaliteti i këtyre dokumentave. Nga ana tjetër duhet kohe dhe që autoritetet kompetente ta thonë fjalën e tyre dhe jo mediumet apo njerëzit jo kompetentë. Derisa të vërtetohet nëse janë origjinale dhe rrjedhje të gjykatës duhet të jemi shumë të kujdeshëm në mënyrë që të mos biem në grackë të ndonjë lajthitjeje për të dëmtuar imazhin e Kosovës”

E megjithatë padashur të paragjykojmë vendimet e Gjykatës Speciale, gjykatë e cila është e votuar  nga vetë Parlamenti i Kosovës për krijimin  e saj, në gjithë aksionin e sotëm është kritikuar operacioni i EULEXI-it. Kjo për faktin se nuk i lejohet të kryeje arrestime por vetëm policisë kosovare, e cila kjo e fundit nuk ka qene prezent në momentin e arrestimit të Gucatit por ka ardhur 1 orë pas ngjarjes.

Nën pranga u vu edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nazim Haradinaj.

Ai nuk ka pranuar që të futet në veturën e hetuesve të Speciales dhe ka pritur derisa kanë ardhur pjesëtarë të Policisë së Kosovës. “Nuk shkoj me ta, vetëm me policinë e Kosovës”, tha Haradinaj.

Lind pyetja, kush e autorizoi Eulex-in për këtë arrestim dhe a mund të quhet ai i ligjshëm?

A krijon Eulexi përplasje me instiucionet kosovare, konkretisht me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës?

A e njeh Eulexi policinë e Kosovës?

Të gjitha këto pyetje edhe të tjera  u duhet dhënë përgjigjie nga ky institucion ndërkombëtarë i cili është në Kosovë për ti mbështetur institucionet përkatese të sundimit të ligjit në Kosovë por me kapacitet të kufizuar reagues sikundër citohet në misionin e EULEXI-it.

Por sot Eulex i ka kapërcyer këto kompetenca .

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të UÇK’së  Faton Klinaku tha për mediat  se bastisja ishte e kunderligjshme .

Sot ka ndodhur një bastisje e kundërligjshme, sepse Gjykata Special nuk ka mandat prej datës 2 gusht dhe kanë ardhur si nëe kohën e Jugosllavisë. Bastisja ka zgjatur sepse unë nuk kam pranuar të kryhet bastisja pa qenë prezent në secilën zyrë, sepse kam pasur frikë që do të bëjnë diçka. Dokumente nuk kanë marrë, por kanë marrë vetëm disa shtëpiza të kompjuterëve”, tha ai.

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi konfirmoi se kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj janë në proces për t’u dërguar në Hagë.

“Ka zgjatur mbi 8 orë bastisja e Eulex-it në OVL UÇK. Besoj që kemi parë një skenë krejtësisht të panevojshëm. Fillimisht ka qenë dashur të jetë prezentë policia e Kosovës dhe jo që të gjitha këto bastisje dhe arrestimi të bëhet me anë të Eulex-it”, ka thënë ai.

Tashmë ngjarja e sotshme ka marrë drejtimin e  saj për në HAGE dhe në vijimësi do të shohim  cfarë do të prodhoje gjithë ky show në zyrat e UCK-së.

Përtej kësaj, përtej gjithë objektivit të Gjykatës Speciale të Kosovës, sot  u vu në pah përplasja e heshtur e institucioneve të qeverisë së Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare.

Sot ishte EULEX, dje ishte KFOR.

Rikujtojmë se në fillim të gushtit të këtij viti, misioni ndërkombëtarë paqëruajtës në Kosovë KFOR, gati çoi në nje incident të rëndë mes xhandamërisë serbe dhe qytetarëve të Kosovës.

Mediat në Kosovë publikuan pamje dhe raportuan për hyrjen e xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë të Kosovës në komunën e Kamenicës. Për këtë ngjarje dhe filmimet që u panë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se organet e shtetit janë duke hartuar një raport të detajuar për të parë së çfarë ka ndodhur. Veprimet e institucioneve "do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend", u shpreh Hoti.

Ky reagim i vetë kryeministrit të Kosovës tregoi qartë se si kreu i shtetit nuk kishte asnjë informacion të tillë e aq më pak qytetarët e thjeshtë të Karaçeves.

Vetem pas shumë polemikave politike do të vinte dhe një reagim nga  misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili në një komunikatë për medie tha se "në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me forcat e armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodonoc". Një mision rutinë, sipas paqeruajtësve.

Duke treguar edhe njëherë që  qeveria e Kosovës jo vetem nuk ishte  pyetur por as paralajmëruar për këtë stërvitje të përbashket me forcat ushtarake serbe.

Një neglizhence e tillë institucionale nga ana e KFOR mund të sillte incidente  të rënda mes serbeve dhe shqiptarëve.

Kjo panoramë dje ishe si një këmbanë për atë çfarë ndodhi sot.

Megjithse në pamje të parë janë të ndryshme, në thelb problemi është i njëjtë, misionet ndërkombëtare nuk i njohin ose ende nuk besojnë tek institucionet  e votuara të Kosovës.

Mbase ka ardhur koha që Kosova të eci vete me këmbet e veta në mënyrë që të mos ngatërrohet me shumë me paterica, qofshin këto paterica edhe “ MADE IN EU”.

m.d

/argumentum.al

© Argumentum