Besa Shahini jep detaje për procesin mësimor në kohë pandemie

Kur kanë mbetur një javë nga nisja e vitit shkollor, prindërit dhe nxënësit kanë shumë pak informacione dhe janë të paqartë për mënyrën se si do të vijojë ky proces, kjo edhe për shkak të pandemisë.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahi, tregoi në “Ilva Now” rregullat dhe udhëzimet, të cilat priten të zbatohen në shkollat e vendit. Ajo shtoi se ajo që ka rëndësi në këtë proces është ruajtja e shëndetit të fëmijëve, por edhe platforma se si do të zhvillohet mësimi.

Më tej znj. Shahini u shpreh se është marrë vendimi për t'i kthyer fëmijët në shkolla, duke ndjekur me përpikëri masat higjeno-sanitare, që janë kërkuar edhe nga vetë Ministria e Shëndetësisë.

“Ne po bëjmë të pamundurën që të jemi gjatë gjithë kohës që t’i informojmë nxënësit, mësuesit dhe prindërit, për të gjithë procesin që do të zbatohet për këtë vit shkollor. Do të vijojmë me informacione çdo ditë si përmes rrjeteve sociale ashtu edhe mediave tradicionale.

Janë dy elementë të rëndësishëm; protokollet e shëndetit, që po i diskutojmë më përpikëri dhe pastaj janë udhëzimet se si do të zhvillohet procesi mësimor. Këtu kemi dy elementë: njëri është kthimi në shkolla, që përkundër faktit se jemi në mes të pandemisë e pamë shumë të rëndësishëm që ta bëjmë këtë, sepse në radhë të parë është i rëndësishëm për arsimin e fëmijëve, por edhe  për shëndetin e tyre mendor dhe emocional. Kemi marrë mesazhe nga prindërit dhe nxënësit që duan të kthehen në shkollë. Kjo është e mundur që paralelisht ne zhvillojmë edhe mësimin online, që tashmë e kemi realizuar dhe do ta lançojmë duke filluar nga 14 shtatori”, theksoi ajo.

Por, çfarë do të ndodhë në rast se konstatohet nxënës të infektuar apo mësues në shkollat e vendit, znj. Shahini dha këtë përgjigje:

"Në raste se ndodh që kemi infektim në një klasë apo në një shkollë ne do ta mbyllim atë klasë apo atë shkolle, dhe pastaj ne do të bazohemi në mësimin online dhe në kanalin RTSH Shkolla”, shtoi ajo.