Butrinti jepet me PPP për 10 vjet, qyteti antik nën menaxhimin e një subjekti privat

Qyteti antik i Butrintit, pritet të menaxhohet për dhjetë vitet e ardhshme nga një agjenci e re. Në ligjin e miratuar së fundmi, ajo njihet si “Fondacion”, por për të nuk ka shumë hollësi, me përjashtim të faktit, që do të jetë një partneritet mes Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik.

Ndryshimi është pjesë e “Planit të Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, një dokument prej 300 faqesh, miratuar nga qeveria shqiptare dhe hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF).

Kjo do të ishte hera e parë që në menaxhimin e qytetit antik të Butrintit do të përfshihej drejtpërdrejt edhe një subjekt jo-publik.

Pas interesimit të mediave, Ministria e Kulturës shpjegoi se “Fondacioni” i ri do të krijohet përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me një partner strategjik, për të cilin ajo nuk dha shumë hollësi, por shtoi se “organizimi dhe funksionimi i “Fondacionit” do t’i nënshtrohen legjislacionit për organizatat jofitimprurëse”. Marrëveshja mes Ministrisë së Kulturës dhe fondacionit të ri duhet të miratohet në Parlament.

Studiues dhe emra të njohur të trashëgimisë kulturore shqiptare kanë ngritur shqetësime për një formë të tillë menaxhimi të Butrintit përmes fondacioneve jo-shtetërore.

Ministria e Kulturës pohon se “edhe pse sistemi aktual i menaxhimit ka siguruar i sforcuar mbrojtjen e vlerave kulturore të Parkut, ai nuk është fleksibël, nuk ka arritur pritshmërinë e tij dhe nuk garanton në perspektivë mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore dhe natyrore”.