Çpo ndodh kështu me NATO-n!?

EKSKLUZIVISHT për ARGUMENTUM:

   Nga Dr. Jorgji KOTE

Asnjëherë më parë NATO nuk ka kaluar një verë të tillë përcëlluese politike si kjo e tanishmja; dhe që  siç “duken bathët” do të vazhdojë dhe gjatë vjeshtës. Por, tani nuk flitet për “ luftë fjalësh e deklaratash” për qëndrimet ndaj Rusisë, Kinës, Iranit apo Bjellorusisë, as për krijimin e një ushtrie europiane; jo, jo, në lojë është shumë më tepër se aq; bëhet fjalë për kërcënime serioze gjeostrategjike deri te prag shpërthimi i një lufte me shumë pasoja. Veçse tani jo nga apo kundër armiqve të jashtëm - Rusia, Kina,  kibernetika, terrorizmi, si “ kryefjala” politiko-ushtarake e NATO-s. Në fakt, tani shtrohet vetë mbijetesa e NATOS. Janë pikërisht  “nxjerrja e muskujve, skërmitja e dhëmbëve” dhe  vringëllimat e armëve në Mesdhe/Egje që po shfaqin “ anën tjetër të medaljes” ose që NATO “ po fut ujë” nga brenda. Dihet se në rastin e një vendi antar që sulmohet nga një shtet jashtë NATO-s, zbatohet Neni 5 i mbrojtjes kolektive. Mirëpo, si i bëhet hallit kur përplasjet dhe sulmet vijnë “nga brenda” siç po ndodh tani?  Kur, sido e ngado ta shpiesh gjuhën, duket qartë se  shumë gjëra  nuk po shkojnë ashtu siç raportohet në mënyrë të rrumbullakosur qoftë dhe në NATO; ndaj është momenti që ndodhitë dhe dukuritë atje  të thuhen troç, me emrin e tyre të vërtetë.

NATO po “ fut ujë” nga brenda për shkak të përplasjes së papajtueshme të interesave madhore ekonomike e sidomos energjitike, si baza e sigurisë për të ardhmen; në këto rrethana, aleatët e saj më të mëdhenj po gabojnë me strategjitë e tyre si në “ hyrje dhe në dalje” duke krijuar një kaos ku nuk e “merr vesh qeni të zonë”. Dëshmia më e freskët janë përshkallëzimi më i fundit i tensioneve politike dhe ushtarake ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Ndonëse kanë kohë që kanë dalë në sipërfaqe, ato u theksuan ndjeshëm  pas marrëveshjeve që këto dy vende fqinje nënshkruan kohët e fundit mbi përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike detare me Italinë, Egjiptin dhe Libinë e në vijim. Ndërkohë, Franca, ndryshe nga pjesa tjetër e BE-së që po tregohet e përmbajtur ndaj Turqisë, se nuk do të “luajë me zjarrin” është rreshtuar hapur  përkrah Greqisë, duke kundërshtuar me forcë Turqinë dhe duke dislokuar avionë, anije lufte dhe së fundi aeroplanmbajtësen gjigande bërthamore “ Charles de Gaulle” në brigjet greke. Konflikti  turko - grek është i njohur, ai ka qenë dhe mbetet  bashkëudhëtar i tyre, sidomos me Qipron si “ konflikt i ngrirë 46 vjeçar” e që nuk dihet se si do t’i shkojë filli. Gjithsesi, ky konflikt nuk ka qenë asnjëherë aq  alarmues dhe kërcënues si tani. Ai mund të përfshijë në vorbullën e vet dhe vende të tjera aleate si Franca, Italia, Spanja, etj.

Mirëpo, tensionet dhe divergjencat e tanishme të NATO-s nuk lindën spontanisht dhe brenda natës. Përkundrazi, ato kanë kohë që «  ziejnë dhe vlojnë nga brenda » Së fundi, ato  erdhën  nga Libia, vatra tjetër e nxehtë, ku, siç kemi shkruar dhe më parë  ka një « mishmash » të vërtetë gjeopolitik. Katrahura e frikshme atje ndodh  për herë të parë dhe në mungesë të lidershipit dhe pranisë ushtarake të SHBA-së. Këto të fundit, jo vetëm nuk diktojnë më situatën si më parë, por tashmë janë pothuajse «  jashtë loje » bashkë me BE-në. Ca më keq akoma, disa vende të mëdha antare janë rreshtuar kundër njeri tjetrit në bashkëpunim me vende të tjera jashtë Aleancës, si Egjipti, EBA, Izraeli, etj, duke hedhur hije të mëdha dyshimi mbi kohezionin politiko-ushtarak të NATO-s. Kështu, Turqia mbështet qeverinë e Tripolit të njohur  nga OKB-ja, ndërsa Franca dhe Greqia  janë përkrah liderit rebel Haftar. Aktualisht, konflikti më i madh politik dhe ushtarak në Libi është ai franko - turk; Franca e njohur për ndikimin e saj të mëparshëm kolonial me shumë baza ushtarake në Afrikë dhe Turqia, e cila pas suksesit në Siri synon të vendoset dhe në Libi. Madje, më 10 Qershor  ndodhi një incident i rëndë ushtarak në brigjet e Libisë; në kuadrin e Operacionit  « Sea Guardian » sipas burimeve franceze, një fregatë e saj patrulluese tentoi të ushtronte kontroll në një anije me flamur tanzanian pas dyshimeve për transport të paligjshëm  armësh.»  Fregata franceze u «  ngacmua » nga tre anije turke që me lëvizjen e radarëve dhanë të kuptonin se mund dhe të shtinin. Ndërkohë, një sinjal dhe mesazh kërcënues ushtarak ndaj Turqisë u dha  2 muaj më parë me disa sulme dhe shpërthime në bazën e madhe ushtarake ajrore turke « Al Watiya » rreth  100 km larg Tripolit. Thuhet se ajo bazë mund të jetë bombaduar nga avionët bombardues francezë «  Rafael » të njohur për efikasitetin e tyre. Për pasojë, Turqia po mendon të vendosë në Tripoli sistemin e mbrojtjes raketore S - 400 që ka blerë nga Rusia disa kohë më parë.

Këto dy incidente të rënda  tensionuan në kulm marrëdhëniet franko - turke. Franca u largua nga ky mision patrullimi, duke kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga NATO ; por, ajo nuk po ia « ve veshin »; kjo veç të tjerash, sepse SHBA-të janë më pranë Turqisë, sepse Franca mbështet rebelët dhe meqenëse kohë më parë Macron pat deklaruar « vdekjen klinike » të NATO-s. Ndërkohë, lidershipi i NATO-s e kupton se  « po t’i bien shumë në qafë » Turqisë, kjo mund të çonte deri në një largim të mundshëm të saj, çka mund të  ishte fillimi i fundit për NATO-n. Sepse Turqia përfaqëson krahun e saj më të fuqishëm jugor, ajo ka ushtrinë e dytë më të madhe në Europë pas Britanisë së Madhe, veç pozicioneve strategjike kyçe në Mesdhe e më gjerë. Gjithashtu, një largim i mundshëm i Turqisë nga NATO do t’i jepte më shumë liri dhe  hapësirë veprimi Iranit, Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Rusisë në atë rajon. Kjo gjendje shpjegohet dhe me zbehjen e  lidershipit  amerikan, si  krijuesi dhe aleati kryesor, pa të cilin nuk mund të ketë NATO dhe as multilaterizëm në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pavarësisht nga justifikimet,  duket qartë se Trump nuk e “ka me sy të mirë “ NATON. Qortimet e tij të kahhershme publike për mosrealizimin e kuotës  2 për qind të GDP-së nga disa vende antare e sidomos Gjermania, sado të drejta në parim, janë vetëm “ sebepi” për grindje politike brenda Aleancës. Ndonëse ka një vendim të Samitit të Wellshit të vitit 2014 që kjo shifër të realizohet në vitin 2024! Dhe më kryesorja, për këtë problem nuk ishte për aq shumë “kujë dhe bujë”, sidomos kur vende si Gjermania, dhe pse duhet të jenë më seriozë në këtë drejtim kanë kontribuar në shumë forma dhe mënyra të tjera në kuadrin e NATO-s.  Në fakt, në veprim duhet të ishte diplomacia me të gjitha kanalet e saj e jo me “tweets”, ca më pak me ultimatume dhe sanksione ndërmjet aleatëve strategjikë.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto “krisje”, në muajin Qershor, Presidenti Trump njoftoi për largimin e 9500 trupave amerikane nga bazat ushtarake të NATO-s në Gjermani.  Vlen të theksohet se ato baza që i shërbejne krejt NATO-s kanë qenë dhe ura lidhëse të miqësisë dhe vëllazerimit ndërmjet të dy popujve. Në vitin 1958 - 1960 në njerën prej tyre shërbeu dhe Mbreti i Muzikës Pop, Elvis Presley.  Megjithë kundërshtimet e brendshme në SHBA dhe letrën e 4 kryeministrave të landeve gjermane të prekur nga ky shkurtim, Trump jo vetëm nuk u tërhoq, por shkoi më tej duke e shtuar numrin e trupave që do të largohen në 12.000 vetë ; si ndëshkim për Gjermaninë por duke lënë një shije të hidhur Euro - Atlantike.

Këto divergjenca të brendshme u shfaqën hapur në Gusht  dhe në KS të OKB-së, kusi rallë ndonjëherë,  Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe hodhën poshtë dy rezoluta të SHBA-ve për zgjatjen e embargos ndaj Iranit; ndërsa më 31 Gusht, ishin SHBA-të që vendosën veton ndaj Rezolutës së mbështetur prej vendeve të lartpërmendura lidhur me riintegrimin e ish - luftëtarëve xhihadistë pas kthimit në vendet e tyre. Ndërkohë, më 2 Shtator, SHBA-të njoftuan publikisht për heqjen e embargos së armëve ndaj Qipros greke, duke e konsideruar madje atë aleate; ky veprim shkaktoi zemërim te diplomacia turke që e konsideron atë si «  thikë pas shpine » brenda Aleancës.

Së fundi, megjithë këtë gjendje të rëndë,  ka mundësi dhe shpresa inkurajuese për një kthesë pozitive në forcimin e kohezionit brenda NATO-s. Rol parësor këtu kanë tre aktorë dhe faktorë madhorë gjeopolitikë dhe ushtarakë: së pari, rishikimi dhe forcimi i pozicionit amerikan nga Presidenti Trump dhe në rastin e konfirmimit të tij më 3 Nëntor.  Pavarësisht nga mangësitë e lartpërmendura, është premtues fakti që  pas telefonatave të tij me liderët turq dhe grekë, më 2 Shtator, edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo  bëri thirje që të dyja palët të ulën në tryezën e negociatave diplomatike; dhe më premtuese konsiderohet  fitorja e mundshme e Joe Biden në zgjedhjet e  ardhëshme presidenciale në SHBA.  Ai ka pohuar se do të rikthejë strategjinë e hyrjes ( entry) në organizatat ndërkombëtare dhe forcimin e NATO-s në bashkëpunim me aleatët.  Së dyti, fati dhe fakti që deri në fund të vitit, në krye të BE-së do të jetë Gjermania dhe Kancelarja Merkel; në fakt ishte ajo që me ndërhyrjet e saj shmangu më të keqen në momentet e fundit. Me përvojën unikale si Kancelare për 15 vite rresht, Merkel është bashkëbiseduesja më e besueshme për të gjitha palët e përfshira në konflikt. Së treti, shqyrtimi dhe miratimi i strategjisë së re të NATO-s në vitin 2021, për të cilin po punon një ekip me 10 personalitete të shquara të politikës, sigurisë dhe boshtit Euro- Atlantik i caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Vetëkuptohet se përfituese e madhe e kësaj situate është Rusia,  e cila e sheh  se   është më e lehtë dhe më pak e kushtueshme për të “ ta marrë  kalanë nga brenda”

Si antarë të NATO-s, fqinje dhe aleate strategjike me Turqinë, Greqinë dhe vendet e tjera të përfshira në këto zhvillime, kjo situatë e vendos në  pozita të vështira  qeverinë me diplomacinë e vendit tonë. Ca më tepër kur dihet se  me Greqinë jemi në pritje të rifillimit të negociatave të mundshme për Detin, që ka krijuar  polemikë dhe konfuzion të madh politik dhe publik në vendin tonë dhe  të  vendimit të Këshillit të BE-së në Tetor për çeljen e negociatave. Gjithkush, mund ta kuptojë sa e vështirë është për diplomacinë tonë që të prononcohet  me qëndrime konkrete ndaj këtyre dy vendeve aleate; kur, siç u përmend dhe më lart, kjo është e vështirë dhe për vetë NATO-n. Gjithsesi, rëndësi ka ndjekja me kujdes e dinamikave të shpejta, me rrjedhojat dhe pasojat e tyre, me qëllim që të mos shkojmë «  nga fryn era » të mos kapemi gafil dhe, kur të vijë momenti, të mos dimë se «  kujt t’ia prishim dhe kujt t’ia ndreqim »

/argumentum.al

© Argumentum