Erdhi për bashkim dhe iku me dasi racore Veri-Jug

Editorial

Largimi i Besa Shahinit nga posti i Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor, shihet në mënyra të ndryshme.

Disa thonë se ajo iku sepse kishte kuptuar që Rama nuk e kishte më në planet e tij për të ardhmen politike.

Disa të tjerë e shohin si taktik elektorale pasi dihet se arsimi shihet si një mundësi e mirë për të mbledhur vota.

Besa nuk kishte treguar ndonjë afrimitet me PS që të dilte dhe të kërkonte votën e mësuesve.

Të tjerë thonë se u shkarkua dhe thjesht deklaroi publikisht se po ikën vetë.

Por ajo që ra më shumë në sy në këtë histori ishte ajo që vetë Besa deklaroi. Mes rreshtave ajo akuzoi eksponentë politikë, por dhe qytetarë se është ndjerë e diskriminuar për shkak të dialektit.

Kush e kujton arsyen e ardhjes së saj në qeveri ishte ekzaktësisht e kundërta e kësaj.

Strategjia e Ramës ishte që të kishte në kabinet edhe shqiptarë të Kosovës.

Për këtë zgjodhi dy personazhe, siç janë Besa Shahini dhe Gent Cakaj, pavarësisht se nuk kishin as eksperiencë as kapacitet për detyrën që iu caktuan.

Besa nuk bëri ndonjë përpjekje të bëhej shqiptare  e Shqipërisë, të përshtatej me mentalitetin tonë, të thyente theksin e “kosovarishtes” me normën zyrtare, të bëhej më popullore në këtë anë të kufirit.

Por përpos kësaj, ajo erdhi si një njeri që do bashkonte shqiptarët këtej dhe andej kufirit, por me deklaratën e ikjes mbitheksoi çështjen e dallimeve, madje duke akuzuar për mbërritjen në kufijtë e racizmit, duke treguar në fakt që bashkimi, integrimi nuk ka qenë qëllimi, por përfitimi.

Ikja e Besës nuk është fundi i botës, por ajo tregoi që shqiptarët kanë ende shumë për të bërë në bashkimin e tyre. Po gjithashtu tregoi se duhet dhënë fund eksperimenteve me personazhe që pas petkut të bashkimit realizojnë qëllimet e tyre karrieriste dhe ekonomike./h.e

/argumentum.al