FESTA E NËNË TEREZËS NË TRSAT TË KROACISË

Si edhe në mbarë Kishën Katolike, po ashtu edhe në Kroaci, festa e Shën Terezes së Kalkutës u kremtua me devocion të dinjitetshëm.
Në Zagreb të Kroacisë, Misioni katolik shqiptar për çdo vit organizon ditën e Nënës Tereze. Por, që nga kanonizimi nderimi për Shejtneshën e  të varfërve i bëhet edhe në ditën e përkujtimit liturgjik, të caktuar nga Kisha.
Kështu filloi me 2016. kur vetëm një muaj pas shejntërimit të Shejtneshës ishte mbajtë një konferencë në Univesitetin katolik të Kroacisë në Zagreb, organizuar nga Deputetja shqiptare për pakicat kombëtare në Parlamentin Kroat, Znj. Ermina Lekaj Perlaskaj, me pjesëmarrje të figurave nga jeta fetare, intelektuale, politike e shoqërore, shqiptare e kroate
Rreth Shejtneshës tonë e të mbarë botes, vazhdojnë të bashkohen shqiptarët për çdo vit në ditën e kremtimit të saj. Në këtë shpirt, në shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Trsat, me iniciativën dhe kontributin e vete shqiptarëve, organizuar nga deputetja shqiptare në Kroaci, Misioni katolik Shqiptar, pastaj Znja Ermina Lekaj Perlaskaj e në bashkëpunim me Arqipeshkvinë e Rijekës dhe Kuvendit françeskan në Trsat, me Meshës solemne e përshpirtëri të dinjitetshme u ngrit dhe u bekua 2 vjet më parë një shtatore e Shejtneshës së mbarë botës, aty pranë shtatorës së Shën Gjon Palit II.   Edhe sivjet, të Premten, 4 Shtator u kremtua Mesha në bazilikën në Trsat, drejtuar nga don Rikard Lekaj, prift i Dioqezës së Poreçit dhe Pulës, në bashkëmeshim me misionarin në Kroaci, don Kristë Gjergjin dhe guardianin e kuvendit françeskan e të shenjtnores së Zojës së Bekuar në Trsat fra Krunoslav Kocijan.
Me këtë rast, Meshës i parapriu programi i veçantë para statujës së Nënë Terezës e vendosur para Bazilikës Trat, në të cilin morën pjesë pëfaqësuesit e shenjtërores së Trsatit, të Bashkësisë së shqiptarëve të Rijekës, Këshilli i pakicës kombëtare në Prefekturës Bregdetaro Malore të Qytetit të Rijekës, e besimtarë të shumtë. Në emër të Kryetarit të Parlamentit Kroat z. Gordan Jandrokovic, e deleguara e tij, deputetja Shqiptaro Kroate Ermina Lekaj Përlaskaj iu drejtua të pranishmëve me fjalën e rastit.
Ndërkaq, në homilinë frymëzuese, gjatë Meshës don Rikardi kujtoi se në Shejtnoren e Nënës së Zotit, në Trsat, kishte shtegtuar Nëna Tereze, si dhe Shën Gjon Pali II., pastaj i lumi Alojzije Stepinac si dhe i lumi Miroslav Bulesic. Nëna Tereze ishte e orientuar kah ajo që ishte qenësorja në jetën e saj: kumtimi i Lajmit të Gëzueshëm e që është vet Jezu Krishti. Hyji gjithmonë i drejtohet njeriut dhe dëshiron ta mbush atë me gëzim, kurse Nënë Tereza e kishte dëgjuar atë thirrje dhe zemra e saj gjithmonë ishte e hapur për ta shpallur Zotin. Prandaj të gjithë jemi të ftuar të shkojmë gjurmëve të shembullit të saj dhe të ushqehemi me atë i cili na dhurohet falas, theksoi don Riçard Lekaj.
Në vazhdim ai theksoi se sëmundja më e rënde e shekullit tonë nuk është koronavirusi, por kur njeriu është i braktisur dhe kur vdes i vetëm. Nënë Tereza ka pasur zemër të hapur për vepra të mëdha ngaqë Krishtin e ka bartur me vete, tha në vazhdim predikuesi. Kjo shenjtëreshë, në secilin njeri e ka parë fytyrën e Krishtit, pa marrë parasysh përkatësinë fetare apo çfarëdo të jetë ajo. Pa Krishtin të cilin e ka bartur në zemër ajo sot nuk do të ishte shenjtëreshë dhe shembull, në kohën kur mbretëron individualizmi dhe kur distancohemi nga njëri-tjetri. Në fund, ai kujtoi meritat e Nënë Terezës se populli shqiptar ka shtetin e tij të Kosovës, për të cilin, si ambasadore e popullit shqiptar, ajo luftoi.
Pas Meshës, besimtarët patën rastin të shprehin devocionin e tyre edhe përmes relikteve të Nënë Terezës, një pikë gjaku, ose siç përfundoi don Rikard Lekaj - një pikë dashurie që na fton të jemi misionarë të dashurisë.
Përkujtimi i Nënë Terezës dhe nderimi ndaj saj, vazhdoi edhe të dielën, me 6 shtator në Koprivnicë, me kremtimin e Meshës se shenjte, drejtuar nga don Kristë Gjergji, misionar në Kroaci.

Bëftë Zoti që përshpirtëria dhe nderimi ndaj Shën Nënë Terezës të na frymëzojë në ndjekjen e gjurmëve të saj në jetën tonë personale, familjare dhe në përgjithësi si Kishë, komb e me gjerë./argumentum.al