Kryeministri Rama: Pavarësisht pandemisë, Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të të papunëve në rajon

Kryeministri Edi Rama ripërsëriti sot premtimin për rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë të reja, teksa tha se është një nga tri masat e ndërmarra nga qeveria për të përballuar situatën pas pandemisë, që do të bëhet realitet.

Sipas tij, pavarësisht krizës së krijuar për shkak të pandemisë Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të të papunëve në rajon.

“Gjatë javëve të fundit kemi marrë tri masa konkrete; programi i ripunësimit që do t’u vijë në ndihmë të gjithë atyre që humbën vendin e punës për shkak të pandemisë.

Sot kemi shifra zyrtare, janë 13 mijë persona të pariintegruar nga 33 mijë që e humbën punën në karantinë, flas për emra dhe mbiemra konkretë të regjistruar. ne hyjmë tek vendet që kemi humbur më pak vende pune.

Jemi sot në kushtet kur numërohen 1 mln vende pune të humbura në Rumani dhe Kosova minus 45 mijë

Qëllimi është që brenda 1 viti ta tejkalojmë nivelin e shkurtit të këtij viti ku me 11 për qind papunësi, shifër e Bankës Botërore, ishte më e ulëta që nga viti ’91. Nuk do ketë më pagë minimale nën 300 mijë lejë të vjetra, është premtim që do të mbahet.

E dyta, çlirimi i plotë i biznesit të vogël jo thjesht nga tatim-fitimi dhe TVSH dhe kjo gjë është bërë me ligj. Sot biznesi deri në 100 mln xhiro, zerohet nga TVSH e tatim-fitimi. Biznesi i vogël çlirohet edhe nga inspektimi e inspektorët.

E treta, plani për të rritur pagën minimale do të rrisë fuqinë blerëse dhe do të ndihmojë shtresën e paguar më pak”, tha kryeministri.

Teksa theksoi se tërmeti i 26 nëntorit i ndërpreu projeksione për rritjen ekonomike të vendit tonë, kreu i qeverisë shtoi se pandemia nuk e ndali procesin e rindërtimit, që siç tha do të kthejë në shtëpi familjet e prekura.

“Janë 70 projekte të rindërtimit në zbatim në bashkinë e Tiranës, dhe me një impakt direkt ekonomik për 17 mijë persona, projekte të cilat do të gjenerojnë rreth 15 mijë vende pune”, tha kreu i qeverisë.