Kujdes me Detin, Mësime nga Mali i Zi, Kakofoni kosovare, Bjellorusia dhe demokracia

Nga Dr. Jorgji KOTE

 

REALPOLITIK FLASH NR. 15   

17 - 31  GUSHT 2020

 Në këtë Rubrikë që e gjen VETEM te “ARGUMENTUM” diplomati dhe analisti i njohur, Dr. Jorgji KOTE  jep “ copë” gjykime dhe përfundime me vetëm 1.000 fjalë mbi 4  temat më të nxehta të kësaj periudhe.

***

Kujdes me Detin! U desh vendimi i Athinës zyrtare për zgjerimin në 12 milje të kufirit të saj detar që të ushtonin fort kambanat e alarmit. Këto ditë, Kryeministri Rama ka shfrytëzuar çdo rast për deklarime të gjata, të cilat, më tepër  i shtojnë se i pakësojnë dyshimet. Sidomos kur bëhen me tone të larta nervozizmi dhe sulme ndaj kujtdo që shpreh dyshime apo kërkon informacion; kur, qeveria dhe MPJ-ja duhet të tregojnë vëmendje, durim dhe  qetësi maksimale ndaj çdo oponence dhe hamendësimi, diçka normale në demokraci; me gjuhë korrekte, pa insinuata, batuta dhe aludime; informimi publik sidomos mbi Detin të  jetë i vazhdueshëm. Eshtë e pafalshme që askush nuk “ e vuri ujin në zjarr” ndaj deklaratës së Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë më 10 Gusht lidhur me përgatitjet për negociatat e mundshme me Greqinë. Ndonëse është forum elitar me 50 ish ambasadorë, 4 ministra të jashtëm, profesorë dhe ekspertë dhe për të drejtën e Detit nga të gjitha trojet shqiptare. Me të drejtë, Presidenti Meta i ka kërkuar Informacion Qeverisë mbi këtë çështje me ndjeshmëri të jashtëzakonshme publike. Së fundi, drejtuesit e MPJ-së lipset të jenë të pranishëm në debate të ndryshme publike dhe televizive, veçse jo me përbetime për ndershmëri, pa paragjykime, me respekt ndaj ekspertëve dhe folësve, pa i mbyllur gojën dhe skeptikut më të keq. Nga ana e saj dhe opozita, ka vend të tregohet më e përmbajtur, pa sulme dhe akuza të paprincipta; kur dhe besueshmëria e saj për këtë aspekt le shumë për të dëshiruar për shkaqe që dihen.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë

Mësime nga Mali i Zi: Nga humbja dhe pse e ngushtë e social-demokratëve të Gjukanoviçit në zgjedhjet e  30 Gushtit  mund të nxirren disa mësime të vyera, sidomos nga PS-ja në Shqipëri, për shkak të ngjashmërive  jo të pakta. Ata humbën mbasi ndonëse 30 vjet në pushtet silleshin sikur kishin ardhur dje në qeverisje, duke u hallakatur kot në shumë fronte. Me ekonominë në rënie dhe për shkak të koronës, me shumë akuza për krim, korrupsion, sulme ndaj medias, etj, vitin e fundit miratuan ligjin fetar kundër Kishës serbe që u kthye në “ mollë sherri”; çka shtoi mobilizimin e paparë të mbështetësve të saj, si faktori kryesor në fitoren e bllokut opozitar. Humbja e partisë qeverisëse në Mal të Zi do të rezultonte më e rëndë po të mos ishin abuzimet me fondet dhe burimet publike, siç konkludoi dhe Misioni vëzhgues i  OSBE-së.

Rezultati zgjedhor në Podgoricë evidencoi  dhe një problem tjetër madhor për BE-në dhe Perëndimin. Gjukanoviç është mbështetur vazhdimisht prej saj si pro-perendimor. Në fakt, integrimi i Ballkanit në BE e NATO po bëhet me një kosto tejet të lartë për demokracinë, në favour të stabilitetit dhe nga frika ruse. Mirëpo, përvoja po tregon se pa vlera/standardet demokratike dhe pa luftuar krimin e korrupsionin, vetë antarësimi Euro-Atlantik mund të rezultojë si “fitorja e Piros”  Një vend “ i kapur” mund të rezultojë më i rrezikshëm se “gogoli” rus, kinez apo serb, që nuk do të trembë më njeri; ose “ gjethe fiku” për të mbuluar dështimet në emër të Perëndimit me fjalë.

Kakofonia kosovare: Politika dhe diplomacia në Prishtinë vashdon të luajë “ ping pong” politik dhe “ tërheqje litari”; dhe tani kur duhet të gjejë rrugët dhe format e duhura për sukses në procesin e  ndërlikuar të dialogut me Serbinë. Haradinaj vazhdon kërcënon me rrëzimin e qeverisë nëse nuk miratohet kanditatura e tij për president, Vetëvendosja dhe LDK nuk pranojnë dhe pse me motive të ndryshme të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë më 4 Shtator; një politikan tjetër kërkon që procesin ta kryesojë SHBA, kur vetë këto të fundit kanë rikonfirmuar se mbështetin BE-në si drejtuese të tyre; kur Skënder Hyseni ende pa përfunduar seancën në Bruksel më 26 Gusht, sado të drejtë të ketë, akuzon vetë pa takt diplomatic bashkëbiseduesit serbë, çka prish atmosferën e duhur për negociata, etj. Shkurt, Prishtina nuk shfaqet unike por kakofonike, çka zbeh pritshmëritë politike të vjeshtës, si  në Uashington dhe në Bruksel.

Bjellorusia dhe demokracia. Kjo është sfida madhore pas zgjedhjeve të 9 Gushtit, protestave masive që kanë shpërthyer dhe shtypjes së tyre me dhunë policore në Bjellorusi. Gjë e mirë që BE me SHBA nuk e konsiderojnë krizën bjelloruse si çështje gjeopolitike, dmth “zgjidh e merr midis BE-së dhe Rusisë”, por si një çështje të demokracisë dhe sovranitetit të saj. Si e tillë, ajo  kërkon zgjidhje nga brenda me dialog gjithëpërfshirës. Ndaj me të drejtë BE-ja u mjaftua me mosnjohjen e zgjedhjeve, me sanksione dhe thirjeve për reflektim, mbi bazën dhe  të ofertës pa përgjigje të Kryesisë shqiptare të OSBE-së për ndërmjetësim.

Macron, Merkel dhe Putin pro ndërmjetësimit të OSBE në çështjen e Bjellorusisë, Lukashenko me “dy mendje” - Abc News

Në një fare mënyre, BE dhe SHBA-të po “paguajnë haraçet” e gabimeve  në Gjeorgji e sidomos në Ukrainë më 2004 dhe 2014; kur e gjeopolitizuan dhe e përdorën “ si karem” integrimin në BE dhe NATO; çka dihet se rezultoi bumerang, dështim dhe zhgënjim i madh politik; për pasojë, antarësimi në BE/NATO nuk “ ngjit” më si më parë” as në Bjellorusi. Sepse ata shohin Ukrainën që është “as mish dhe as peshk” Poloninë dhe vende të tjera me precedentë negativë që nuk lenë vend për moral demokratik. Kryesorja, BE por dhe NATO nuk kanë “këllqe” për të kërkuar më shumë përballë Rusisë, e cila nuk “ lëshon më pe”.  Sfida tani mbetet që rasti bjellorus të mos bëhet precedent që dhe vende të tjera t’i konsiderojnë parimet demokratike dhe zgjedhjet si “ punë të brendshme” pa lejuar ndërhyrje nga organizata ndërkombëtare ku bëjnë pjesë. Ja pse, ashtu si e përmendi këto ditë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së,  Borrell, zgjidhja më optimale e krizës bjelloruse mbetet përsëritja e zgjedhjeve, POR, nën mbikqyrjen e OSBE-së që nuk u ftua në zgjedhjet e 9 Gushtit.

/argumentum.al

© Argumentum