Listat dhe koalicionet, PS propozon amendamente, PD kërkon ekspertizë

Partia Socialiste ka bërë gati një amendament për Kodin Zgjedhor, në të cilin ka përfshirë propozimet e saj dhe ku është pranuar tashmë hapja e plotë e listës së kandidatëve, propozim ky i mëhershëm i Partisë Demokratike.

Amendamenti, i cili pritet të paraqitet për diskutim në mbledhjen që do të zhvillojë sot Këshilli Politik, ka propozime edhe për pragun zgjedhor dhe koalicionet.

Propozimet janë si vijon:

  • Lista e kandidatëve 100 për qind e hapur;
  • Jo më pak se 30 për qind e listës fituese të jetë me gra dhe vajza;
  • Kandidatët i nënshtrohen votës preferenciale
  • Qytetarët votojnë partinë/koalicionin dhe një kandidat preferencial
  • Vota preferenciale ndryshon renditjen e listës
  • Pragu minimal për koalicionet 3 për qind
  • Pragu minimal për partitë jashtë koalicioneve 3 për qind
  • Koalicioni të konsiderohet subjekt zgjedhor

PD pati propozuar listë tërësisht të hapur ku kandidatët renditeshin në rend alfabetik e më pas zgjidheshin me votë të përgjithshme.

Ndërkohë PS propozon që partitë të hartojnë listat dhe ato të ndryshojnë në varësi të zgjedhësve, më i votuari të renditet i pari e me radhë.

Palët duket se kanë gjetur pikë të përbashkët për hapjen e plotë të listave, por mbetet për t’u diskutuar mënyra se si kjo do të implementohet.

Ndërkohë çështje më vete mbetet mënyra e formimit dhe kandidimit me koalicione parazgjedhore. PD është kundër ndryshimit të mënyrës aktuale, ndërsa PS kërkon që ato të dalin me një listë të vetme të përbashkët dhe jo siç bëhet aktualisht ku çdo parti pjesë e koalicionit del me lista të veçanta kandidatësh dhe votat e tyre më pas mblidhen bashkë.

Në lidhje me koalicionet, opozita ka kërkuar që të pyetet OSBE-ODIHR. Shumica socialiste ka lënë afat 30 shtatorin për të sjellë të gjitha propozimet.

Kodi Zgjedhor u ndryshua njëherë më parë më 24 korrik pas marrëveshjes së dakordësuar më 5 qershor në Këshillin Politik. Ndërkohë më 30 korrik socialistët votuan ndryshime kushtetuese, të cilat kërkojnë që Kodi Zgjedhor të ndryshohet sërish.

Opozita

Opozita jashtëparlamentare (PD dhe LSI) i kërkuan Këshillit Politik të kërkojë ekspertizën e OSBE/ODIHR për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese të miratuara në 30 korrik në Kodin Zgjedhor, në mbledhjet e Këshillit Politik të mbajtur, sot.

Anëtarët e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, në njoftimin për median, u shprehën se opozita nuk pranon ndryshimet e rregullave të garimit në mes të procesit zgjedhor:

“Duke qenë se Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve dhe procesi zgjedhor ka filluar, kjo [pragu kombëtar, heqja e koalicioneve] përbën ndryshim të rregullave në mes të procesit zgjedhor. […] Ky propozim nuk pranohet nga Opozita”.

Ata e bënë të qartë se në rast të vendimmarrjes së njëanshme, “Këshilli Politik e humbet funksionin e tij”, duke rrezikuar miratimin e një reforme zgjedhore të gjithëpranuar.

“Formulimet e Kodit Zgjedhor në fuqi, përfshirë ato të dakordësuara mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 dhe të miratuara më 23 Korrik, janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe standardet e OSBE-së dhe Këshillit të Europës”, shkroi Bylykbashi dhe Vasili./h.e

/argumentum.al