Lufta e Vlorës, si një moment paqeje mes Ramës dhe Metës

Në qytetin e Vlorës është zhvilluar sot ceremonia zyrtare e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës.

Në ceremoni morën pjesë krerë të shtetit. Kryeministri Rama ka qenë i shoqëruar nga prefekti dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës. Më pas ka ardhur edhe presidenti Meta me kryetarin e parlamentit Ruçi.

Ky aktivitet ka shërbyer edhe si një moment paqësor mes Kryeministrit Rama dhe presidentit Ilir Meta që janë parë të ulur pranë njëri tjetrit dhe kanë shkëmbyer batuta me të qeshura me njëri tjetrin.

Në fjalën e tij kryeministri u shpreh se Lufta e Vlorës është një nga luftërat më të veçanta në historinë e përbotshme për nga historia e saj dhe përfundimi.

” Një luftë e fituar nga pala që ishte objektivisht e humbur. Iu jemi borxhlinj edhe për Luftën e Vlorës. Është momenti për të kujtuar peshën e kësaj ngjarje. Në këtë përvjetor është momenti për të kujtuar jo thjesht heroizmin por dhe peshën e kësaj ngjarje si një akt kundërshtie ndaj një force të huaj por dhe si një akt këmbëngulje.

Një tjetër element që vlen të kujtohet, është pjesëmarrja e grave në atë luftë. Ishin gratë që organizuan një rrjet shitjesh të bizhuterive për mjekime dhe për të asistuar luftëtarët. Kjo tregon se çfarë peshe kishte ajo bërthamë luftëtarësh që e morën përsipër këtë luftë. Ishte një arsyetim i bërë me zemër”, tha Rama./h.e