Maqedoni e Veriut, ndalohen 16 maqedonas për fyerje ndaj shqiptarëve

Incidentet e fundit ndëretnike, të nxitura nga disa grupe tifozësh maqedonas, kanë rikthyer debatin nëse vendi mund të destabilizohet si pasojë e mosndërhyrjes së institucioneve ndaj elementëve ekstremistë që po përhapin pasiguri dhe mosdurim mes bashkësive etnike në Maqedoninë e Veriut.
Incidenti i fundit ndodhi gjatë fundjavës në një lagje të Shkupit, ku një grup të rinjsh maqedonas brohoritën thirrje ofenduese ndaj komunitetit shqiptar, fraza të tilla si: “shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”.
Brohoritjet ndodhën gjatë kohës që në rrugë po kalonte një kolonë makinash me dasmorë shqiptarë, që kishin stolisur makinat e tyre me flamurin kombëtar shqiptar.
Incidenti u shmang, ndërsa më pas policia njoftoi për ndalimin e 16 personave, të rinj me kombësi maqedonase. Por, për njohësit e raporteve ndëretnike kjo është e pamjaftueshme.
“Në Maqedoni të Veriut raportet ndëretnike janë shumë të brishta, shumë pak mjafton që ato të ndezen. Provokimet e qëllimet çojnë pikërisht drejt kësaj, andaj provokimeve të tilla duhet menjëherë t’i ndërpritet rruga. Ndodhën dy incidente dhe nuk patëm asnjë ndërhyrje dhe kjo është vërtetë dëshpëruese. Duhej të reagohej që javën e kaluar që të mos ndodhte incidenti i dytë. Reagimi duhet të jetë i shpejtë dhe efektiv. Dëgjova se 16 persona janë ftuar në biseda informative. Kjo për mua nuk është asgjë, duhet të ketë mesazhe të qarta, dënime për këta persona që të mos ndodhin gjëra të tilla në të ardhmen”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.
Të rinjtë besohet të jenë tifozë të klubit të futbollit “Vardari”, të njohur si “Komitët”.
Edhe një javë të parë ata marshuan në sheshin qendror të Shkupit me brohoritje të tilla, gjatë kohës që në stadiumin e qytetit po luhej një ndeshje futbolli mes dy ekipeve, një shqiptare dhe një maqedonase.

Bashkimi Selmani, ekspert i së drejtës penale, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk është hera e parë që institucionet kanë heshtur apo që kanë reaguar vetëm se deklarativisht ndaj veprimeve të tilla, që mund të kenë pasoja të rënda. Ai madje thotë se institucionet duke reaguar në mënyrë selektive, në vend të uljes të tensioneve, ato kanë nxitur edhe më shumë situatën.
Ky akt ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale duke kërkuar masa nga institucionet për parandalimin e veprimet të tilla.
“Sjelljet e Komitëve burimin e kanë tek sistemi, që u jep fuqi dhe përkrahje, pavarësisht kush është në pushtet. Për sa kohë sistemi nuk i dërgon prapa grillave këto huligan, fenomene të këtilla s’do të kenë të ndalur”, kështu ka reaguar Ziadin Sela nga partia Aleanca për Shqiptarët.
Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime deri në pesë vjet burg për përhapje të gjuhës së urrejtjes, por deri më tani askush nuk është ndëshkuar për brohoritje e incidente ndëretnike. Incidente të tilla apo fyerje në baza etnike ka pasur edhe nga grupet shqiptare të futbollit, të cilat, këto veprime kanë thënë se i kanë ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj grupeve maqedonase, të cilat në disa raste edhe kanë kryer sulme të rënda fizike ndaj kalimtarëve të rastit. /REL