Ngritja Gjykatës Kushtetuese/ Ambasadori i BE-së takim me kryetaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, është takuar sot me kryetaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha. Lajmi bëhet i ditur nga vetë z. Soreca me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Twitter”.

Ambasadori i BE-së thekson se bërja funksionale e Kushtetueses është së pari kusht kryesor për forcimin e demokracisë e stabilitetin e vendit, por edhe një "test" i qartë për zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE-në.

"U takova sot me Vitore Tushën, kryetare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese dhe e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ajo më informoi për punën e Këshillit për plotësimin e pozicioneve të lira në Gjykatën Kushtetuese. Sigurimi i funksionalitetit të saj të plotë është kusht kryesor për të siguruar demokracinë dhe stabilitetin në Shqipëri dhe për zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare për të filluar bisedimet e pranimit”, sqaron Soreca.

Më tej, diplomati i BE-së përshëndeti veprimet e kreut të shtetit, por dhe Kuvendit, të cilët kanë hapur procedurat për plotësimin e dy vakancave në këtë institucion kyç për zhvillimin e Shqipërisë.

“Ne kemi mirëpritur njoftimet e fundit nga Presidenti Ilir Meta dhe Parlamenti për dy postet e lira dhe kemi ftuar kandidatët e kualifikuar të aplikojnë. Është kritike që KED të finalizojë me shpejtësi vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për postet e lira, duke u bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias”, shton ai.

Në fund,  z. Soreca rithekson se Bashkimi Evropian është në krah të Shqipërisë, ndërsa shtoi se vendet e unionit mbështesin konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi.

“Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë Shqipërinë në reformën në drejtësi dhe qëndron pranë saj si një anëtare e ardhshme e Unionit”, shkruan ambasadori i BE-së Luigi Soreca.