"Përplasje " në presidencën trepalshe të Bosnjë e Hercegovinës, shkak Kosova dhe Jerusalemi

Mbledhja e jashtëzakonshme nga presidenca trepalshe e Bosnjë dhe Hercegovinës lidhur me njohjen e Kosovës dhe  zhvendosja e ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem, ka dështuar  për shkak te Millorad Dodik i cili ka votuar kundër njohjes së Kosovës .

Anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, ka votuar kundër njohjes së Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të presidencës, të mbajtur të enjten.

Anëtari kroat i presidencës, Zhelko Komshiq, i cili edhe e ka bërë propozimin për shqyrtimin e njohjes së Kosovës, ka votuar pro, sikurse anëtari boshnjak, Shefik Xhaferoviq.

Vendimi në presidencës trepalëshe merret me konsensus të tre anëtarëve.

"Dodik nuk e pranoi njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Ne votuam 2-1 për atë vendim. Dodik ishte kundër dhe kjo do të jetë një temë në javët e ardhshme. Pritet që Dodik të kërkojë një seancë të Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe dhe të paraqesë ato tema ku ndërlidhet Kosova dhe Republika Srpska. Kjo është një temë e rrezikshme që mund të përshkallëzohet me historinë e ndarjes, dhe supozoj se të gjithë e dini ku na çon tërë kjo", ka thënë Komshiq.

Ai shtoi se Kosova është një realitet, është një shtet i pavarur.

"Kushdo që ka frikë nga një vendim si njohja e Kosovës nuk duhet të ulet në Presidencën e Bosnje dhe Hercegovinës", u shpreh Komshiq.

Kërkesa për shqyrtimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës u bë nga anëtari i presidencës, Zhelko Komshiq, kjo pasi që anëtari tjetër i presidencës, Millorad Dodik ka kërkuar se në seancë të diskutohet zhvendosja e ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem. Por, as për zhvendosjen e ambasadës nuk u arrit konsensus në presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.

Ndryshe, në kuadër të një marrëveshjeje me Kosovën, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, Serbia ka rënë dakord për zhvendosjen e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Nisur nga gjithë kjo situate duket se në Bosnja Hercegovine do të kemi një kompromis, dakordsinë për zhvendosjen e ambasadës së Bosnjë e Hercegovinës  në Jerusalem në shkëmbim të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

© Argumentum