Pragu elektoral, Topalli: Basha dhe Rama, pakt hileqar

Në tavolinën e diskutimit politik janë listat dhe koalicionet parazgjedhore por, Jozefina Topalli përcjell përmes faqes së saj në Facebook një tjetër debat që lidhet me pragun e dyfishtë elektoral; 3%.

“Pragu elektoral i dyfishtë është përpjekje e shëmtuar kundra vullnetit të qytetarëve që duan ndryshim.

Heshtja e opozitës ndaj propozimit të Ramës për prag shtesë, konfirmon marrëveshjet e fshehta me qëllim ruajtjen e karrigeve të kryetarëve.

Ndryshimi i sistemit elektoral nuk është gjë e keqe në vetvete, – ai mund të përmirësohet- por është e dëmshme kur ndryshon vetëm pak muaj para zgjedhjeve dhe kur në përmbajtje redukton mundësinë e përfaqësimit të qytetarëve që kërkojnë ndryshim”, shkruan Topalli.

Në çdo sistem elektoral, sipas saj, pragu është kyç.

“…Sistemi me prag të dyfishtë është i mirë për tre kryetarët e partive, por është i keq për parlamentin dhe demokracinë.

Llogaritë politike të kryetarëve e bënë pragun axhendë personale të tyre duke bërë një prapaktheu të rëndë.

Pragu elektoral është një ndër mekanizmat bazë për përjashtimin e përfaqësimit në parlament të votuesve që janë kundra skenës së vjetër politike”, shkruan ajo.

Sipas saj, vendosja me ligj e një pragu të dytë elektoral kombëtar është mbyllje hermetike e sistemit të vjetër të kryetarëve.

“Pragu i ri i propozuar nga PS në dakordësi me Kryetarin e opozitës përmes heshtjes se turpshme është goditja më e madhe që i bëhet demokracisë shqiptare me ligj.

Të kesh sistem proporcional rajonal me pragun përkatës si Spanja e t’i shtosh një prag tjetër nacional, dmth ta bësh me dy pragje të çon drejt modeleve të Lukashenkos, që mbretëron prej 30 vitesh.

Pragu dyfish i propozuar është paradhoma e çimentimit të një sistemi autokratik, kundra interesit të qytetarëve dhe kundra ndryshimit të mundshëm.

Heshtja e Lulzim Bashës për propozimin e vendosjes së pragut të dyfishtë nga Rama është konfirmim tjetër i lojës hileqare të tyre, sikurse është konfirmim i marrëveshjeve të fshehta në kalkulim të politikave personale e karrigeve të tyre dhe kundra interesit të qytetarëve!”/h.e