Presidenti malazez Gjukanoviç fajëson Vuçiç për humbjen në zgjedhjet parlamentare

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e së dielës (30 gusht), ku Partia e tij Demokratike e Socialistëve lëshoi shumicën qeverisëse për herë të parë pas 31 viteve.

Ai deklaroi se ai nuk mund të thoshte saktësisht pse rezultati i zgjedhjeve ishte siç ishte pas zgjedhjeve parlamentare në atë vend, por në të njëjtën kohë ai akuzoi Presidentin Aleksandar Vučić për agresion të fortë mediatik dhe politik në Beograd.

Sipas tij, presidenti serb i dha mbështetje të fortë nacionalizmit serb të madh në Malin e Zi.

“Besoj se do të vini re se që nga dhjetori, që nga miratimi i Ligjit për Lirinë e Fesë, ne kemi pasur një agresion të fortë mediatik dhe politik nga Beogradi ndaj Malit të Zi,” tha Gjukanoviç.

Në një intervistë për medien, “Newsmax Adria”, politikani që udhëheq vendin herë si kryeministër, herë si president për gati tri dekada, tha se gara e fundit parlamentare i tregoi tërë rajonit përçarjet e vjetra konceptuale me të cilat ai përballet.

Komenti iu referua fitores së rivalëve politikë proserbë dhe prorusë në vend.

“Qeveria aktuale malazeze përfaqëson qasjen pak a shumë të të gjitha vendeve të rajonit, që e shohin të ardhmen te sistemi i vlerave europiane dhe integrimi euroatlantik. Por siç e shohim, edhe nacionalizmi i viteve 90 vazhdon të jetë gjallë, është rizgjuar në rrethana të reja, nga stimuj të rinj dhe tani po tenton ta kthejë prapa rrotën e historisë.”

Në lidhje me formimin e qeverisë së re, presidenti malazez tha se ai do presë rezultatin dhe do mandatojë këdo koalicion që merr 41 nga 81 mandatet e mundshme të Parlamentit.

Për sa i përket të qenit në opozitë, Gjukanoviç vlerëson se partitë e tjera të pakicës kanë programe të ndryshme, por PDS-ja e tij do të gjejë pika të përbashkëta për t’u afruar me to.

Kreu i shtetit komentoi edhe festimet e dhunshme të ditëve të fundit nga simpatizantët e partive kundërshtare.

Socialdemokratët aktualisht në pushtet thanë se mbështetësit e opozitës serbe, në disa qytete të Malit të Zi, organizuan tubime duke provokuar qytetarët në mënyrë agresive, me parulla nacionaliste.

Gjukanoviç i cilësoi episodet si intolerante ndaj krahut tjetër dhe minoriteteve etnike, siç janë edhe shqiptarët në vend.

Ndërkohë aleatët udhëheqës të qeverisë së ardhshme shprehën të martën dyshimin se incidentet mund të jenë nxitur nga mbështetës të ish-qeverisë malazeze ose Shërbimit Sekret.

Opozita serbe dhe aleatët siguruan më shumë se gjysmën e mandateve apo 41 gjithsej dhe mbrojnë lidhje më të forta me Serbinë.

Ndërsa socialdemokratët e drejtuar nga presidenti më properëndimor, Gjukanoviç, edhe pse fituan shumicën e votave, morën 40 nga 81 mandatet bashkë me grupimet e pakicave dhe partnerët e tjerë tradicionalë.