Presidenti Meta pritet me këngë e valle në Zall Dardhë/ "Dibranët shembull frymëzues i pasionit për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare"

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vijon vizitën e tij në trevat e Dibrës. Në Zall Dardhë, Presidenti Meta është pritur me këngë e valle nga ansambli i kësaj zone.

“Mirënjohje Ansamblit “Kuvendi i Zall Dardhës” për pasionin, përkushtimin dhe transmetimin brez pas brezi të vlerave folklorike të një treve me tradita ndër më të shquarat atdhetare”- shkruan Meta, teksa ka shpërndarë dhe disa foto të amsamblit të Zall Dardhës.

Postimi i plotë i Presidentit Meta në Facebook

Dibranët janë shembull frymëzues i pasionit për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare.
Në çdo këngë, elegji dhe rapsodi, në vallet e lojrat e larmishme, në kostumet popullore ku janë hedhur ngjyrat e jetës dhe bukuritë natyrore, në traditat dhe folklorin e kësaj treve gjendet një thesar unik dhe i jashtëzakonshëm kulturor, reflektim i fuqishëm i shpirtit atdhetar dhe artistik i dibranëve.
Mirënjohje Ansamblit “Kuvendi i Zall Dardhës” për pasionin, përkushtimin dhe transmetimin brez pas brezi të vlerave folklorike të një treve me tradita ndër më të shquarat atdhetare.
I kemi borxh Dibrës dhe Shqipërisë, që trashëgiminë e vyer historike e kulturore që na kanë lënë të parët tanë, ta mbrojmë, ta promovojmë dhe ta pasurojmë më tej, në mënyrë që të rinjtë tanë t’i duan rrënjët e tyre, të mos mendojnë braktisjen por të ndërtojnë këtu një të ardhme të sigurtë, krenarë për përkatësinë e tyre si shqiptarë. 

 

Presidenti Meta: Dibranët, shembull frymëzues i pasionit për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare (Foto)