Prioritetet që Rama i vendosi Parlamentit

Kryeministri Edi Rama shpalosi prioritetet e punës së mazhorancës në sesionin e ri parlamentar, ku kërkoi miratimin sa më shpejt të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që të reflektojnë ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave.

Rama u shpreh i gatshëm për të negociuar me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj për këto ndryshime, por paralajmëroi se negociatat nuk mund të zgjasin shumë, duke sinjalizuar se miratimi do të kalojë me shpejtësi në Parlament.

Rama u shpreh gjithashtu i gatshëm që të hapen listat 100 për qind, por me një kusht.

“I vetmi problem është garantimi i barazisë gjinore, nëse kjo realizohet me një mekanizëm të besueshëm, për ne nuk ka asnjë problem. Nëse nuk ka një mekanizëm të besueshëm mos prisni nga ne hapje të listave 100 për qind”, tha ai.

Prioriteti tjetër i Ramës ishte projektligji i antishpifjes. Kryeministri tha se puna duhet të vazhdojë me shpejtësi edhe në këtë drejtim duke u bazuar tek mendimi i Venecias.

“Kemi një raport goxha ndihmues të venecias dhe mbi atë raport duhet të punojmë bashkarisht që të dalim në përfundimin e duhur dhe të kalojmë atë ligj në këtë Parlament, sepse shpifja po bën kërdinë përditë e përnatë”, u shpreh ai.

Pika tjetër, që Rama tha se i ka ardhur dhe kaluar koha është ligji për Presidentin e Republikës. “Ka ardhur koha që të ketë një ligj për Presidentin e Republikës dhe besoj që ka edhe këtu përvoja plot”, vijoi ai.

Kryeministri u ndal edhe tek projekbuxheti për 2021, ku ripërsëriti premtimin për rritje pagash për mjekët dhe mësuesit./h.e