Pse nuk po zbatohet marrëveshja e 5 qershorit që mori “bekimin” e Perëndimit?

Politika shqiptare është përfshirë në një debat i cili duket se ka mbërthyer të gjithë jetën e vendit.

Miratimi i kodit zgjedhor për zgjedhjet e 25 prillit. Partitë nuk bien dakord për listat dhe koalicionet.

Mazhoranca vijon të këmbëngul se duhen ndaluar koalicionet parazgjedhore, ndërsa opozita kërkon të hapen listat 100 për qind.

Por faktori ndërkombëtar më i rëndësishëm në vend apelojnë se duhet respektuar marrëveshja e 5 qershorit.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim në deklaratë të bërë nga Himara ka folur për zhvillimet e fundit mbi reformën zgjedhore. Diplomatja amerikane tha se mirëpret propozimet e bëra nga opozita jashtë Parlamentit dhe gatishmërinë e shprehur nga mazhoranca për t’i përfshirë në debat këto propozime.

Sipas ambasadores amerikane, partitë politike në Shqipëri duhet t’i qëndrojnë marrëveshjes së 5 qershorit, pasi firmat e liderëve të tyre ndodhen në atë dokument.

“Mendoj që pozita e SHBA ka qenë shumë e qartë, 5 qershori ishte gjithëpërfshirës dhe transparent. Çdo parti që ka nënshkruar atë letër, duhet t’i qëndrojë fjalës së dhënë, është çështje nderi. Firma ime nuk ndodhet mbi atë letër. Janë ata që kanë nënshkruar atë letër personat përgjegjës për të zbatuar 5 qershorin.

Pritshmëria ime është që ‘5 qershori’ do të nderohet. Nëse palët do të bien dakord për masa të tjera përtej 5 qershorit, do të ishte shumë mirë dhe ne do t’i mbështesim. Por, le të shikojmë se çfarë do të ndodhi”, përfundoi Kim.

Pas dorëzimit të draftit me propozime nga PD -LSI, ku kërkohen lista të hapura 100% dhe pas debateve të sotme në Kuvend, vjen edhe reagimi i ambasadorit të prezencës së Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Përmes një postimi në Twitter, diplomati europian rikërkon respektimin e marrëveshje së 5 qershorit.

Reagimi i Luigi Soreca-s:

“Ne përsërisim qëndrimin tonë që marrëveshja e 5 qershorit, e cila ka zbatuar rekomandimet e OSBE/ODHIR mbi reformën zgjedhore, duhet të respektohet. Ne gjithashtu konfirmojmë rëndësinë që çdo propozim për ndryshime të mëtejshme në nenet e kodit zgjedhor shqiptar, të cilat tejkalojnë qëllimin e marrëveshjes së 5 qershorit, të diskutohet si duhet në kuadrin e Këshillit Politik në mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse përpara se të votohet në Parlament”.

Më pas ishte grupimi i Partive Popullore Europiane që bën të njëjtin apel. Partia Popullore Europiane, në mbledhjen e asamblesë së zhvilluar me videokonferencë, për të diskutuar çështje të ndryshme të Ballkanit dhe Europës, ka përmendur dhe ndryshimet kushtetuese që po bën maxhoranca përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Në një deklaratë zyrtare, grupi i PPE ku bën pjesë dhe PD, ka thënë se Reforma zgjedhore e 5 qershorit u miratua në mënyrë konsensuale dhe u mbështet ndërkombëtarisht dhe duhej të zbatohej siç ishte rënë dakord.

Sipas tyre ndryshimet e njëanshme në këtë fazë janë kundër rekomandimeve të OSBE / ODIHR si dhe vendimit të Këshillit të BE për hapjen e negociatave të pranimit.

Pas gjithë këtyre reagimeve, nuk kuptohet pse nuk po zbatohet marrëveshja e 5 qershorit, dhe ajo që është më e rëndësishme pse nuk thuhet se kush është fajtori që kjo marrëveshje ka mbetur në hije...

 

Argumentum / h.e