Rama-Mitsotakis: Të zgjidhim shpejt çështjet e mbetura pezull

Në përfundim të një darke pune që kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis, patën mbrëmjen e të martës, në Athinë, ishte zyra e kreut të qeverisë greke që shpërndau njoftimin mbi temat e diskutuara.

Të dy kryeministrat “ranë dakord të punojnë së bashku në mënyrë që të dy vendet të zgjidhin shpejt çështjet e pazgjidhura në të kaluarën në kontekstin dypalësh dhe të çlirojnë potencialin e madh që mund të krijojnë marrëdhëniet strategjike midis dy vendeve”, saktësohet në njoftim.

Kryeministri shqiptar Edi Rama takon ne Athine homologun grek Kyriakos Mitsotakis

Fundjavën e shkuar, duke folur me gazetarët në Selanik, kryeministri grek ishte shprehur se me zotin Rama do të diskutonte dhe për çështjen e përcaktimit të kufirit detar dhe zonave ekonomike eskluzive mes dy vendeve, pas vendimit të Greqisë për të zgjeruar ujërat e saj territoriale deri në 12 milje detare.

Kjo temë rihapi në Tiranë debatet mbi një marrëvveshje të mundshme mes dy vendeve. Kryeministri Rama foli për një të drejtë që Greqisë i njihet nga Konventat ndërkombëtare, duke saktësuar se ajo nuk ka lidhje me përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve.

Pas rrëzimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të marrëveshjes së firmosur në vitin 2009, Tirana dhe Athina, rinisën bisedimet dy vjet më parë, si pjesë e një pakete çështjesh të mbetura pezull mes dy vendeve. Kryeministri Rama ka deklaruar se bisedimet për çështjen e detit janë ndërprerë, pas ardhjes në pushtet të qeverisë së kryeministrit Mitsotakis. Një gjë të tillë e konfirmoi pak ditë më parë dhe vetë kreu i qeverisë greke.

Në njoftimin mbi takimin e mbrëmes të së hënës, nuk pati asnjë referencë specifike për këtë temë, e cila mesa duket mbetet e përfshirë mes disa çështjeve të tjera që janë ende të hapura mes Tiranës dhe Athinës.

Qeveria greke bëri të ditur se “të dy kryeministrat patën mundësinë për të diskutuar rrjedhën e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë, të cilën Greqia e ka mbështetur ndër vite, duke respektuar gjithnjë kushtëzimin relativ të vendosur nga Këshilli Evropian. Ata shprehën kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin e tyre brenda NATO-s”.
Një tjetër temë diskutimi, ka qenë ajo rreth pakicës greke në Shqipëri, “e cila duhet të jetë një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy popujve, ndërsa theksi u vu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare. Të dy kryeministrat shprehën kënaqësinë e tyre për integrimin e përkryer të qetë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi”, saktëson njoftimi i palës greke.
Nga ana e tij kryeministri Rama, i cili ndodhet në kryeqytetin grek për të marrë pjesë në konferencën e përvitshme të organizuar nga Qeveria greke dhe revista The Economist, nuk dha asnjë detaj mbi bisedimet me homologun grek, duke lënë megjithatë të kuptohet se kishte mbetur i kënaqur. “Një darkë e bukur me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, që ofroi përzemërsisht mikpritjen e tij. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve janë busulla jonë drejt shkëlqimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”, shkruajti zoti Rama në një postim në Facebook, të shoqëruar me foto e video nga takimi.