Reforma zgjedhore frenohet në Këshillin Politik

Në Tiranë, Partia Demokratike dhe aleatët e saj të opozitës i kërkuan sot Partisë Socialiste, që së bashku të ftojnë për ndihmë OSBE/ODIHR-in mbi disa çështje të reformës zgjedhore, për të cilat palët nuk po gjejnë mirëkuptimin.

Por, sipas përfaqësuesve të majtë, palët mund të kërkojnë ndihmën e OSBE / ODIHR-it pasi janë përpjekur për mirëkuptim mes tyre, duke diskutuar mbi variante të ndryshme.

Palët po akuzojnë njëra tjetrën për bllokim të qëllimshëm të reformës zgjedhore në Këshillin Politik.

Këshilli Politik në Tiranë për herë të dytë sot debatoi gjatë nëse palët duhet të kërkojnë apo jo ndihmën e OSBE / ODIHR-it në këto ditë kur puna është frenuar nga mosmarrëveshjet.

Opozita i kërkoi socialistëve që së bashku të kërkojnë tek OSBE / ODIHR-i përgjigje zyrtarisht mbi mekanizmin aktual të Kodit Zgjedhor për koalicionet, formula e shpërndarjes së mandateve, mbi listat e hapura, mbi ndryshimin e rregullave zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve dhe shkeljet e barazisë në garën politike.

Por socialistët refuzuan t’i drejtohen OSBE / ODIHR-it, për sa kohë, si tha përfaqësuesi i tyre, palët ende nuk po debatojnë dhe nuk po kërkojnë mirëkuptim mes tyre.

“Ishte opozita ajo që vendosi dhe imponoi standartin dhe parimin që, për aq kohë sa që kemi debate politike, ne nuk mund t’i drejtohemi ODIHR-it me propozime respektive. Përkundrazi, edhe në dokumentin e 14 janarit thuhet: Synohet kompromisi dhe kur nuk ka kompromis, mund të merret asistenca e OSBE/ODIHR-it për të kërkuar kompromisin, por vetëm mbi drafte dhe mbi propozime përkatëse” - tha pas takimit përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.

Opozita tha se është e shqetësuar për ndryshimin e rregullave zgjedhore pak muaj para zgjedhjeve nga socialistët, sepse në këtë mënyrë shkelet barazia në garë, dhe shohin me dyshim si larg standarteve demokratike propozimet e socialistëve mbi listat e hapura dhe sistemin zgjedhor, përfshirë edhe formulën e shpërndarjes së mandateve.

“Opozita dorëzoI në Këshillin Politik kërkesën për OSBE/ODIHR për zgjidhjen e konflitkit për ndryshimin e njëanshëm të rregullave të lojës. PS refuzoi kërkesën dhe bojkotoi mbledhjen. Kërkesa e opozitës së bashkuar për OSBE/ODIHR është përgatitur në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe me mbështetjen e tyre. Në lidhje me koalicionet, opozita ka për draft Kodin Zgjedhor ekzistues. Maxhoranca po e ndryshon, në shkelje të standardeve ndërkombëtare” - tha përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

Mospajtimet mes palëve në Këshillin Politik e kanë frenuar përsëri punën e këtij forumi, që u krijua bazuar në një marrëveshje të janarit dhe i dha frytet në marrëveshjen e 5 qershorit.

Opozita thotë se kjo marrëveshje po shkatërrohet dita ditës nga socialistët me ndryshimet kushtetuese të korrikut dhe me manovrat e fundit, por këta të fundit thonë se po respektojnë Kushtetutën dhe procedurat parlamentare.

Krahas mosbesimit midis palëve, një problem shqetësues, sipas analistëve, është humbja e madhe e kohës dhe shtyrja e punëve përtej afateve ligjore dhe deri në ditët e fundit para zgjedhjeve.

Palët do të duhet të gjejnë një mirëkuptim brenda javës së fundit të shtatorit, por shtyrjet e afateve nuk janë më surprizë në skenën e tensionuar politike të Shqipërisë, ku mbizotërojnë interesat e ngushta partiake./VOA