Rikthehet Parlamenti, nis me ndryshimet ligjore për zgjedhjet

Deputetët mbyllën pushimet dhe pasditen e kësaj të hëne u rikthehen seancave plenare për të nisur sesionin e ri parlamentar, ku në kalendar ka një sërë çështjesh të ndjeshme.

Seanca e sotme pritet të jetë formale vetëm për miratimin e draftprogramit njëmujor dhe të kalendarit të punimeve dyjavore.

Në draftkalendar është edhe nisja e procedurave për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që pas marrëveshjes së 5 qershorit do të jetë një organ me tre trupa vendimmarrëse. Afati i fundit për plotësimin e KQZ-së së re është 19 tetori.

Ndërkohë, procedurat e aplikimit për kandidatët për KQZ-në e re janë ende të hapura, ndërsa pritet që opozita të dërgojë në Kuvend përfaqësuesin e saj për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, që do të përzgjedhë anëtarët e rinj të KQZ-së.

Në bazë të marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik, struktura e re e KQZ-së do të përfshijë trupën vendimmarrëse me 5 anëtarë, atë të apelimit po me 5 anëtarë, një Komisioner Zgjedhor dhe një zëvendësKomisioner Zgjedhor.

Koha për përzgjedhjen e emrave të këtyre trupave nuk premton dhe përveç këtij procesi, sfidë është edhe pasqyrimi në legjislacion i paktit të 5 qershorit, që veç Kodit Zgjedhor ndryshon edhe Ligjin për Policinë e Shtetit, atë për gjyqtarët dhe prokurorët, ligjin për funksionimin e prokurorisë, Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale dhe ligjin për partitë politike.

Përveç këtyre, socialistët dhe opozita parlamentare kanë edhe procesin paralel përgatitor për zgjedhjet e caktuara tashmë për më 25 prill; që është sërish ndërhyrja në Kodin Zgjedhor për pasqyrimin e ndryshimeve kushtetuese që hapin listat të paktën në dy të tretat e tyre./h.e