SHBA, Kina shkëmbejnë akuza mbi respektin për lirinë e shtypit

Kina dhe Shtetet e Bashkuara shkëmbyen akuza lidhur me interpretimin e lirisë së shtypit, pasi Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo kritikoi gazetën zyrtare të Partisë Komuniste të Kinës që nuk kishte botuar një artikull opinion të ambasadorit amerikan.

Komentet e forta nga të dyja palët pasojnë keqësimin e marrëdhënieve mes dy fuqive më të mëdha ekonomike të botës që janë shoqëruar me replika të ndërsjellta lidhur me tregtinë, pandeminë dhe të drejtat e njeriut, ndërkohë që afrojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA.

"Përgjigja e gazetës The People's Daily (E Përditshmja e Popullit) zbulon sërish frikën e Partisë Komuniste Kineze nga fjala e lirë dhe nga debati serioz intelektual, si dhe hipokrizinë e Pekinit kur ankohet se nuk gëzon qasje të drejtë dhe reciproke në vende të tjera,” tha Sekretari Pompeo përmes një deklarate të mërkurën.

Refuzimi nga gazeta kineze pason vendimin amerikan për t’u anuluar vizat 1000 shtetasve kinezë këtë javë, një tjetër shembull i masave për kufizimin ose refuzimin e vizave të marra nga dy vendet ndaj gazetarëve të tjetrit.

Artikulli opinion i ambasadorit Terry Branstad me titull “Marrëdhënie Bazuar në Recipricitet” fliste për mungesë balance në marrëdhëniet SHBA-Kinë, duke theksuar se kompanitë, gazetarët, diplomatët dhe madje edhe shoqëria civile amerikane ndesheshin me trajtim jo të drejtë në Kinë.

"Gazetarët amerikanë ndeshen me kufizime gjatë raportimeve në Kinë, madje edhe në mundësinë për t’u futur në Kinë, ndërsa punonjës të medias kineze prej kohësh kanë pasur qasje të hapur në SHBA,” shkruante zoti Branstad.

Në një letër të dërguar si përgjigje, gazeta People's Daily shkruan se artikulli i ambasadorit amerikan nuk përmbushte standardet e saj gazetareske.

"Në opinionin tonë, artikulli në emër të Ambasadorit Branstad është plot boshlleqe dhe pasaktësi në fakte,” shkruan gazeta në letrën e bërë publike nga Departamenti i Shtetit.

Në një deklaratë të enjten, gazeta tha se ka të drejtën, ashtu si media amerikane të vendosë se çfarë boton dhe të bëjë redaktimet e nevojshme, duke i cilësuar akuzat e zotit Pompeo si një sulm të ashpër ndaj medias kineze.

"Sa ironike që në njërën anë SHBA sulmon organe shtypi si People's Daily duke e cilësuar “makinë propagandistike” e Partisë Komuniste, dhe nga ana tjetër përhap pikëpamje jo të sakta mbi Shtetet e Bashkuara”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian tha se ambasadori kinez në Uashington, i cili shpesh jep komente e intervista për median amerikane, asnjëherë nuk ka bërë akuza ofenduese ndaj vendit ku shërben si përfaqësues diplomatik i Kinës dhe është i përkushtuar të forcojë shkëmbimet miqësore dhe bashkëpunimin.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha se Kina duhet të respektojë lirinë e shtypit.

"Kur refuzuan, ata dëshmuan se sa e trembur është elita partiake kineze, e pazgjedhur me votë, nga mendimi i lirë i popullit dhe nga gjykimi i botës së lirë për praktikat qeverisëse që ndjek Kina”.