Shqipëria i bindet Turqisë, mbyll institucionet arsimore të FETO-s

Këshilli i Ministrave ka vendosur të mbyllë veprimtarinë e medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë, medresesë “Ali Korça” në Kavajë dhe “Memorial International School of Tirana (MIST)”

Eshtë ky lajmi i publikuar sot  nga media turke “Anadoly Agency” .

Kujtojmë se ky vendim erdhi vetëm pak ditë pas takimit të kryeministrit të Shqipërisë në residencen e Presidentit turk Erdogan në Marmaris, Turqi.

Sipas njoftimit në rrjetet sociale, Kryeministri Rama shkruante se  kanë biseduar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështje të tjera.

"Me Presidentin e Turqisë, mikun e çmuar Recep Tayyip Erdogan, në një nga bisedat gjatë qëndrimit në rezidencën e tij verore në Marmaris, folëm gjerësisht për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Turqisë, sfidën e kohës për fuqizimin e ekonomisë në kushtet e përballjes me COVID-19, ecurinë e bashkëpunimit dypalësh, si edhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor", ka shkruar Rama.

Ndërkohë që pas këtij takimi Rama do merrte pjesë në Athinë si i ftuar në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga "The Economist". Vizita e Ramës në Greqi, ndodhi ndërsa në vend u rindez debati për kufirin detar me Greqinë, sidomos pas deklaratës së kryeministrit grek Mitsotakis për zgjerim të kufirit në detin Jon me 12 milje. Por njëkohësisht në një përplasje në Detin Mesdhe Turqi-Greqi të cilet nuk hezituan ti tregonin “muskujt” njëri-tjetrit.

Sigurisht të gjithe i lidhen këto dy vizita të Ramës Turqi-Greqi si ndërmjetës në përplasjen e këtyre shteteve  në Detin Mesdhe, por si duket mediat i veshen një “petk” që nuk mund ta përballoje z.Rama, pasi në të vërtet takimi i kryeministrit shqiptarë në Marmaris tregoi se Rama nuk ishte në rolin e “ndërmjetësit” Turqi-Greqi por në rolin e "lajmësit". Shqipëria zbatoi urdhërin e Turqisë duke i mbyllur të gjitha shkollat në Shqiperi të cilat ishin nën logon e FETO-s, e ashtuquajtur organizatë terroriste nga Presidenti Erdogan./argumentum.al

***

Ja çfarë shkruan sot media turke Anadolu Agency:

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)” të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur edhe mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare “Memorial International School of Tirana (MIST)”, në të gjitha nivelet arsimore (arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë), që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education”.

Vendimet që janë marë me propozimin e ministrit përgjegjës të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe që mbajnë datën 23 shtator për mbylljen e institucionit arsimor parauniversitar privat medreseja “Hafiz Abdullah Zëmblaku” dhe institucionit arsimor privat fetar, i nivelit të arsimit të mesëm të lartë medreseja “Ali Korça” dhe 16 shtator (MIST) janë publikuar në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.

Përmes Fondacionit "Sema" organizata terroriste FETO në vitet e fundit kishte shtrirë ndikimin e saj në fushën e arsimit në vend, pasi duke i marrë nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë (KMSH) apo edhe duke bashkëpunuar me këtë institucion, ka nën administrim disa medrese në vend, përfshirë edhe ato që janë mbyllur me vendim qeverie, ajo e Kavajës dhe Korçës.

Sipas informacioneve të publikuara në faqen e internetit të Fondacionit "Sema", ky fondacion zhvillon veprimtarinë e tij në bashkëpunim me Komunitetin Musliman të Shqipërisë dhe drejton zhvillimin arsimor të shkollave 9-vjeçare, të mesme në Tiranë, medresesë “Liria” në Elbasan (e mesme), Medresssë “Hafiz Ali Korça” në Kavajë (djem-vajza, e mesme), medresesë “H. Mahmud Dashi” – Tiranë, (9-vjeçare dhe e mesme) dhe Medreseja e “Korçës” (e mesme).

Sipas vendimeve, institucionet arsimore që mbyllen kanë detyrim që të pajisin çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar dhe të kthejnë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj nxënësve.

Gjithashtu institucionet e mbyllura kanë për detyrim të vënë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara në vendime.

Sipas vendimeve, ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, institucionet e mbyllura dhe Komuniteti Musliman i Shqipërisë për zbatimin e vendimeve. Vendimet në fjalë do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

© Argumentum