Thaçi takohet në Stamboll me Erdogan: "Bisedë frytdhënëse, përfshirë bashkëpunimin dypalësh si dhe çështjet rajonale e globale”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të dielën me presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan në Stamboll.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Thaçi ka paralajmëruar fuqizim të partneritetit me Turqinë, të cilin e ka quajtur strategjik.

“Mirënjohës presidentit Erdogan për mikpritjen e ngrohtë dhe bisedën frytdhënëse rreth të gjitha çështjeve të interesit reciprok, përfshirë bashkëpunimin dypalësh, çështjet rajonale si dhe globale”, ka shkruar Thaçi.

“Shtetet tona gëzojnë raporte miqësore dhe do ta fuqizojnë më tej partneritetin strategjik”, ka shkruar presidenti në postimin e tij në Twitter.

Në këtë takim ishte prezent edhe kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Ditë më parë, pas arritjes së marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, ambasada turke në Prishtinë reagoi, duke thënë se Turqia e kundërshton hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

"Turqia, si një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu që ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi, nuk e sheh të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim", tha Ambasada e Turqisë në Prishtinë në një postim në mediat sociale.

Zotimet e Kosovës dhe Serbisë për hapjen e ambasadave në Jerusalem i ka kritikuar edhe Bashkimi Evropian.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të jashtme dhe siguri, në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian kishte thënë se BE-ja shpreh “shqetësim dhe keqardhje serioze” për këtë.

“Asnjë ambasadë e ndonjë vendi të BE-së nuk është në Jerusalem. As zyra e delegacionit të BE-së në Izrael nuk është në Jerusalem”, kishte thënë zëdhënësi i BE-së.

Marrëveshja u nënshkrua më 4 shtator në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe njëra pikë e saj thotë: “Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin”.