Udhëheqësja e opozitës në Bjellorusi refuzon ndihmën perëndimore

Udhëheqësja e opozitës në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya i tha “Zërit të Amerikës” se kriza politike e vendit është "absolutisht një çështje e brendshme", ndërsa dukej të refuzonte çdo ide për ndërhyrje apo ndihmë nga Perëndimi. Duke folur të hënën nga Vilniusi në Lituani, zonja Tsikhanouskaya tha se “populli Bjellorus ka përgjegjësi për atë që po ndodh". "Ne mendojmë se këtë problem duhet ta zgjidhim vetë”, shtoi ajo.

"Nëse ndodh që do të na duhet një ditë ndihma e vendeve të tjera, ndihmë ose ndërmjetësim për bisedime, natyrisht çdo vend që dëshiron të na ndihmojë me këtë çështje është i ftuar," theksoi udhëheqësja e opozitës bjelloruse.

Në javët e fundit, dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e qyteteve bjelloruse për të kërkuar dorëheqjen e Presidentit Aleksandër Lukashenko. Ai pretendon se i ka fituar zgjedhjet e 9 gushtit, ndërsa partitë e opozitës së bashku me SHBA dhe Bashkimin Europian thonë se këto zgjedhje ishin thellësisht të manipuluara.

Zoti Lukashenko i mohon akuzat për manipulim, ndërsa ka përdorur policinë dhe forcat speciale për të shtypur protestat. Qindra protestues janë arrestuar dhe ka prova se ndaj tyre është përdorur dhunë dhe disa janë torturuar. Të paktën katër persona janë raportuar se kanë humbur jetën gjatë protestave.

Udhëheqësja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya u largua në Lituani pas zgjedhjeve nga frika për sigurinë e saj dhe të familjes.“Kam pasur arsye të mëdha për ta bërë këtë hap. Nuk mund të flas për këtë tani. Ndoshta në të ardhmen do të tregoj për historinë time, por tani nuk mund ta flasë për të”, thotë ajo.

Tsikhanouskaya mori pjesë në zgjedhjet presidenciale pasi burri i saj, Sergei Tsikhanousky, një bloger i famshëm në YouTube, u arrestua në muajin maj dhe u ndalua të merrte pjesë në zgjedhje. Disa disa figura të tjera të opozitës u arrestuan gjithashtu...

Zonja Tsikhanouskaya vlerësoi qindra gra që kanë marrë pjesë në protesta ditët e fundit, të veshura me të bardha dhe të kuqe, ngjyrat që identifikojnë opozitën."Jam shumë krenare që gratë po luajnë një rol të madh në këto demonstrata, në këtë të ashtuquajtur revolucion," i tha zonja Tsikhanouskaya Zërit të Amerikës.

"Gratë tona treguan se ato luajnë një rol të madh në jetën e të gjithëve dhe mbase ne i frymëzuam ato për këtë lëvizje sepse duhej të qëndronim në vend të burrave tanë”, tha ajo.

Ish mësuesja e anglishtes, përsëriti qëndrimin e saj se Bjellorusia duhet të mbajë zgjedhje të reja, të mbikëqyrura nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

"E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë politike janë negociatat," tha ajo.

Zëri i Amerikës pyeti zonjën Tsikhanouskaya nëse zoti Lukashenko duhet të lejohet të marrë pjesë në zgjedhjet e reja.

"Zoti Lukashenko është një qytetar i vendit tonë dhe fizikisht normal që mundet. Por nëse ai ka të drejtë morale për të marrë pjesë, kjo është një pyetje e madhe, ”tha ajo.

Alexandër Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet për 26 vjet, nuk ka dhënë ndonjë shenjë se është i gatshëm për kompromis me opozitën, pavarësisht protestave të vazhdueshme dhe grevave masive që kanë paralizuar pjesë të vendit në tre javët e fundit.

Qeveria e tij ka anuluar kohët e fundit vizat e shumë gazetarëve të huaj. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin javën e kaluar tha se Kremlini ka krijuar një "forcë policore rezervë" për të mbështetur udhëheqësin bjellorus Aleksandër Lukashenko, por shtoi se ajo do të dislokohej vetëm nëse trazirat në vend dalin jashtë kontrollit.

Të hënën, Lituania, Letonia dhe Estonia vendosën masa për ndalim të udhëtimit ndaj zotit Lukashenko dhe gati 30 zyrtarëve të tjerë Bjellorusë. Vendet Baltike kanë vënë në shënjestër ata zyrtarë, të cilët i akuzojnë se kanë patur rol në manipulimin e votave dhe dhunën ndaj protestuesve bjellorusë. Zoti Lukashenko u kundërpërgjigj duke kërcënuar të ndërpresë rrugët tregtare që Evropa përdor përmes Bjellorusisë.

Shumë vëzhgues e kanë krahasuar krizën në Bjellorusi me revolucionin në Ukrainë në 2014, kur Rusia pushtoi vendin pas përmbysjes së Presidentit Viktor Janukoviç. Vëzhguesit gjithashtu thonë se e ardhmja e lëvizjes opozitare bjelloruse dhe roli i zonjës Tsikhanouskaya, mbetet shumë i pasigurt./voa