Zaev në Athinë: Miq të vjetër, miq të rinj

"Le të punojmë së bashku tani, të bëjmë biznes, të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë," ishte motoja e Mitsotakisit në drekën e përbashkët me Zaevin

Nuk mund të quhet dashuri me shikim të parë, por marrëdhënia midis kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe kolegut të tij nga Maqedonia e Veriut Zoran Zaev po bëhet gjithnjë e më e mirë. Kështu që pritej që Kryeministri i Maqedonisë së Veriut do të merrte rrugën për Athinë, menjëherë pas zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë në Maqedoninë e Veriut, së bashku me dy zëvendëskryeministrat e tij, Nikolla Dimitrov dhe Fatmir Bytyqi dhe Ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani.

Zaev ishte ftuar në konferencën vjetore të revistes Economist të mbajtur në Gjirin e Lagonisit. Fatkeqësisht, ai nuk pati kohë të notonte në ujërat e bukura të Atikës, pasi programi i tij ishte shumë i ngjeshur. Në konferencë foli për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe vizionet e qeverisë së tij në rrugën e gjatë drejt BE-së. Dhe më pas u takua me Presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, me mikun e tij të ri Mitsotakis dhe me shokun e tij të vjetër, ish-Kryeministrin Alexis Tsipras.

Kohët ndryshojnë

Për delegacionin e Maqedonisë së Veriut, vizita në Athinë nuk ishte më delikate. Opinioni publik grek nuk është i interesuar për Maqedoninë e Veriut në këtë moment, nuk ka më klimë armiqësore "kundër Skopianëve" , dhe Marrëveshjen e Prespës e kanë pranuar tashmë edhe kundërshtarët më të ashpër të saj nga partia Demokracia e Re në pushtet. "Gjithçka që Mitsotakis ka bërë që kur u bë Kryeministër i Greqisë është pozitive për Maqedoninë e Veriut," i tha Zaev, Euronews-it para takimit me Kryeministrin Grek. Dhe pak a shumë kjo është e vërtetë.

Athina përpiqet t'i harrojë fjalët e zjarrta të Mitsotakisit kundër Marreveshjes se Prespës në vitin 2018 dhe britmat për "tradhti" kundër Tsiprasit, i cili e realizoi marrëveshjen me Zaevin. Tani është koha për bashkëpunim dhe zbatimin e marrëveshjes historike dhe "thellimin e marrëdhënieve bilaterale", siç theksoi edhe Presidentja Greke në takimin e saj me Zaevin.

Griechenland Athen | Treffen | Mitsotakis und Zaev (Gov. of Rep. of North Macedonia)Mitsotakis dhe Zaev: Në drekën e përbashkët të dy kryeministrave, menyja përmbante dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Mbështetje e vendosur

Sakellaropoulou shprehu mbështetje të vendosur të Greqisë për kursin evropian të Maqedonisë së Veriut, ndërsa Zaevi foli për "frytet e Marrëveshjes së Prespës" dhe për "hapësirën e madhe të bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut dhe partneres strategjike te saj, Greqisë".

Në drekën e përbashkët të dy kryeministrave, menyja përmbante dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. "Le të punojmë së bashku tani, të bëjmë biznes, të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë," ishte motoja e Mitsotakisit. Ata folën edhe për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut pasi më në fund u realizua anëtarësimi i vendit në NATO.

Gjatë vizitës së tij në Athinë, Zaevi gjithashtu iu referua tensioneve në Mesdheun juglindor dhe bëri thirrje për dialog midis Athinës dhe Ankarasë. "Çështja është e rëndësishme për të gjithë rajonin, jo vetëm për Greqinë dhe Turqinë," theksoi Kryeministri i Maqedonisë së Veriut. Për Zaevin e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet midis fqinjëve është përmes dialogut - dhe ai e di sa i vështirë është ai. Tani ai shpreson që këtë mund ta bëjnë edhe Athina dhe Ankaraja. Para se Zaevi të largohej nga Athina, ai pati edhe një takim me ish-homologun e tij nga Marrëveshjes së Prespës, Tsipras. E ky do të ishte takimi më i ngrohtë. /DW