Zgjedhjet në Bjellorusi- Mali i Zi, dy paralele të barazlarguara  dhe Shqipëria si “pikëprerje”

Nga Marjana DODA

Muaji Gusht ka prodhuar dy zgjedhje parlamentare dhe presidenciale në Europën Lindore( Bjellorusi) dhe në Europën Juglindore (Mali i ZI) , po aq afër dhe larg njëra-tjetrës, këto dy  shtete janë bërë kryefjala e  politikës së jashtme të BE-së.

Por çfarë i ndan dhe i bashkon këto shtete që nga muaji Gusht  i 2020-ës ?

-Të dy këto vende zhvilluan zgjedhjet në Gusht, pas një qeverisje prej 30 vitesh të Lukashenkos në Bjellorusi dhe  Gjukanoviç në Mal  të Zi.

Zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi u zhvilluan në fillim të muajit gusht, më 9 gusht 2020 ,ku populli bjellorus doli në masë në votime me objektivin e vetëm, largimin e Aleksandër Lukashenko, të ashtuquajturin si diktatori i fundit i Europës , duke qene  se e udhëheq Bjellorusinë prej 28 vitesh. Lukashenko është në krye të Bjellorusisë që nga viti 1994 dhe kërkon  mandatin e gjashtë si president i Bjellorusisë, mandat që ka sjellë krizën më të madhe politike në vend që pas vitit 90-të .

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bjellorusi tha se zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit janë të vlefshme. Lukashenko, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, me 10.12 për qind. Menjehere pas kësaj qindra protestues kanë marshuar në rruget dhe sheshet e Minskut dhe qyteteve të tjera të Bjellorusisë.

Opozita ka hedhur dyshime se votimi mund të jetë manipuluar, ndërsa ka deklaruar se do të numërojë votat në mënyrë të pavarur.“I besoj syve të mi dhe shoh se shumica është me ne,” – u shpreh Tikhanovskaya në një konferencë për shtyp, një ditë pas votimeve.

Tikhanovskaya  hyri në garën presidenciale në vend të bashkëshortit të saj, të arrestuar pasi organizoi protesta, sipas autoriteteve, të paligjshme, dhe ka udhëhequr disa prej tubimeve më të mëdha të opozitës. Që nga   10 Gushti  e deri sot ,vijojnë pa ndërprerje protestat kundër Presidentit Lukashenko dhe qeverisjes së tij .

Nga ana tjetër, po në Gusht , saktësisht më 30 gusht 2020 Mali i Zi mbajti zgjedhjet parlamentare , me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve. Zgjedhje të cilat për herë të parë pas tri dekadash, përmbysen qeverisjen 30 vjeçare të Partisë  Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç.

Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse.

Megjithate pavaresisht se në vend zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë demokratike dhe të lira, sërish fitorja e  tyre nga ana e opozitës ka ngritur pikëpyeje dhe shqetesime të mëdha për të ardhmen e  Malit të Zi.

Liderët e tri subjekteve politike të koalicionit opozitar, të cilat e kanë fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, në një konferencë për media më 9 shtator kanë prezantuar parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme dhe të cilat nënkuptojnë bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të njohjes së Kosovës dhe që përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve shtetërore të Malit të Zi. Parimet e marrëveshjes u shpallën nga liderët e koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë” e Zdravko Krivokapiqit, Aleksa Beçiqit dhe Dritan Abazoviçit.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Malin e Zi shpalli me 14 shtator  rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 30 gushtit dhe se shpejti pritet krijimi i qeverisë së re në vend .

Nuk mund të thuhet e njejta gjë për Bjellorusinë, zgjedhjet e të cilës janë konsideruar si jo ligjore sipas shefit të Politikës së Jashtme të BE-se , Borrel.  “Ne nuk e njohim Lukashenkan si president legjitim të Bjellorusisë”.  Blloku evropian me 27 anëtarë është duke përgatitur sanksione kundër personave përgjegjës për mashtrime zgjedhore dhe shtypje të protestave.

-Protestat  pas zgjedhjeve ne Bjellorusi dhe Mal të Zi

Nëse në  Bjellorusi opozita që humbi zgjedhjet ka javë të tëra që derdhet në sheshet e Minskut kundër njeriut që qeverisi për gati 3 dekada popullin bjellorus, e kundërta ndodh në Mal të Zi. Partia e Gjukanoviç (aktualisht president i Malit te Zi ), që ka 30 vite në pushtet herë si kryeministër e herë si president mbajti një “tubim patriotik” kundër opozitës që fitoi zgjedhjet me thirrjet  "nuk do ta japin Malin e Zi".

Një tjetër paralele mes Bjellorusisë dhe Malit të Zi është  dhe fakti se të dy lideret  e partive opozitare kanë deklaruar që u rrezikohet jeta e tyre.

Kërcënimi i jetës ndaj liderve të opozitës, e asaj që fitoi zgjedhjet në Mal të Zi  dhe asaj që humbi zgjedhjet  në Bjellorusi janë bërë tejet  shqetësuese për ecurinë demokratike të këtyre vendeve.

Në Bjellorusi kryetarja e Opozitës, pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale, është detyruar të largohet nga vendi për shkak se i rrezikohet jeta. Svetlana Tikanovskaja, është larguar drejt Lituanisë pas informacioneve se mund të ishte pre e një atentati me qëllime politike. “Liderja e opozitës në Bjellorusi, Svetlana Tikhanouskaya, ka udhëtuar në Lituani dhe është e sigurt”, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius.

Ndërsa në Mal të Zi, një nga lideret e partisë opozitare që ka fituar zgjedhjet parlamentare Dritan Abazoviç,  është marrë në mbrotje nga policia pasi ka marrë kërcënime të vazhdueshme që pas ndryshimit të situatës politike në Malin e Zi dhe bashkimi i tij me opozitën, duke rrëzuar Milo Gjukanoviç.

“E di që ka shumë njerëz që munden dhe duan të më lëndojnë, por nuk kam frikë. Kërcënimi është çmimi që ne si politikanë duhet të paguajmë. Dhe janë logjike në këtë situatë, nëse merr në konsideratë një gjë: pas rezultatit zgjedhor, ka shumë njerëz në këtë vend që kanë shumë për të humbur,” thotë Abazoviç.

Duke folur për median gjermane “Spiegel”, Abazoviç shtoi se pavarësisht kësaj, ai nuk ka frikë.

-Lidhjet proruse dhe proserbe  të Bjellorusisë dhe Malit të  Zi

Si Bjellorusia dhe Mali i Zi kanë një lidhje  historike me Rusinë dhe Serbinë.

Bjellorusia pjesë e ish- Bllokut komunist të BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike)

Kujtojmë se më 27 korrik 1990  Bjellorusia ndahet nga Bashkimi Sovjetik dhe shpallet si shtet i pavarur. Gjatë kësaj kohe Stanislav Shushkeviq merr pozitën kryesore të udhëheqjes së shtetit, dhe së bashku me Boris Jelcinin dhe udhëheqësin e Ukrainës, Leonid Kravçuk më 8 dhjetor 1991 e shpallin shpërndarjen e Bashkimit Sovjetik dhe themeluan Lidhjen e Shteteve të Pavarura. Që nga 1994 vendi udhëhiqet nga Aleksandër Lukashenko i cili kritikohet si diktator për politikën e tij të kufizimit në maksimum të lirisë së fjalës, të shtypit, të besimit fetar, të krijimit të organizatave opozitare etj.

Mali i Zi ishte  një nga gjashtë Republikat të Ish-Jugosllavisë

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1992, republika e Serbisë dhe ajo e Malit të Zi së bashku themeluan një federatë, të quajtur Republika Federative e Jugosllavisë, e cila në vitin 2003 u riemërua si Serbia dhe Mali i Zi. Në bazë të referendumit për pavararësi të mbajtur më 21 maj 2006, Mali i Zi u shpall shtet i pavarur fale votuesve shqiptar qe jetojne ne te (9%) më 3 qershor të ati viti. Me ndihmën e Slobodan Milosheviqit në moshë 29 vjeçare ( 1991), arrinë të bëhet kryeministri më i ri në Evropë.

Pikërisht historia e  mëvetësisë së këtyre shteteve  fillon pas 90-ës, dhe sikundër Bjellorusia  me Rusinë, edhe Mali i Zi me Serbinë ruajnë  lidhjet e tyre  historike. Ndaj dhe sot nuk është çudi që çdo lëvizje politike lidhet dhe me marrëdhëniet që dy shtetet kanë me Rusine dhe Serbinë.

Përshembull në Mal të Zi fitorja e partive opozitare ka shtuar frikën se kjo do të nënkuptojë një ndryshim në politikën pro-perëndimore të Malit të Zi drejt aleatëve tradicionalë, Serbisë dhe Rusisë. Mali i Zi mbetet thellësisht i ndarë për lidhjet e tij me Serbinë, ku shumë qytetarët mbrojnë lidhje më të ngushta me Beogradin dhe të tjerët që kundërshtojnë çdo lloj aleance pro-serbe.

Ndërsa Bjellorusia, për gjithçka drejton sytë nga  "vëllai i madh"  Rusia.

Kështu në takimin e Lukashenkos në Moskë më 14 shtator ,Presidenti i Rusisë  Vladimir Putin, premtoi ndihme financiare  e dha një hua prej 1.5 miliard dollarësh për Minskun.

-Qëndrimi i BE-SHBA  për Bjellorusinë e Malin e Zi

Nuk mund të ndodhte ndryshe zgjedhjet në Bjellorusi janë kontestuar dhe nuk janë njohuar nga BE

Bashkimi Evropian njoftoi se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi, proces që kritikët e Presidentit Aleksandër Lukashenko thonë se ishte i manipuluar për të zgjatur 26 vitet në pushtet të tij. BE-ja tha gjithashtu se do të vazhdojë me planet për t’i vendosur sanksione Bjellorusisë.

BE-ja do t’u vendosë së shpejti sanksione një numri të konsiderueshëm personash përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe manipulimin e zgjedhjeve”, tha Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel pas një takimi të jashtëzakonshëm të vendeve të bllokut, për të diskutuar rreth krizës në Bjellorusi. Më vonë Kancelarja gjermane Angela Merkel u tha gazetarëve se BE-ja mbështet protestuesit paqësorë në Bjellorusi dhe një zgjidhje të negociuar të trazirave. “Për ne është e qartë se Bjellorusia duhet të gjejë rrugën e saj. Kjo duhet të ndodhë përmes dialogut në vend dhe nuk duhet të ketë ndërhyrje nga jashtë. Njerëzit në Bjellorusi e dinë se çfarë duan dhe çfarë është e mirë për ta”, tha zonja Merkel.

Po ashtu Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se Uashingtoni është duke e vëzhguar nga afër situatën "e tmerrshme" në Bjellorusi, ku demonstratat masive të opozitës, po goditën me forcë nga ana e pjesëtarëve të sigurisë.

Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, nëpërmjet një deklarate shprehet se SHBA mbetet e shqetësuar nga të metat serioze të zgjedhjeve në Bjellorusi dhe dënon forcën e ushtruar ndaj protestuesve, të cilët nuk pajtohen me fitoren e zgjedhjeve nga Lukashenko, sipas të cilëve janë të vjedhura.

Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjedhje të lira dhe të ndershme që pasqyrojnë vullnetin e popullit  në Bjellorusi si një çështje parimi. Zgjedhjet e 9 gushtit nuk e përmbushën atë standard. Bjellorusia, si Shtetet e Bashkuara, është një anëtar i OSBE-së, i cili i mbështet ato standarde. Ne i kërkojmë qeverisë së Bjellorusisë të pranojë ofertën e kryesisë së OSBE-së për të lehtësuar dialogun dhe të angazhojë të gjithë palët e interesuara.”

Sa i perket rezultatit zgjedhor në Mal të Zi, pati një heshtje pasgjedhore” nga BE dhe SHBA, ndoshta sepse e shihnin ende me skepticizëm marrjen e pushtetit nga opozita malazeze sikundër e quajnë pro-ruse dhe pro-serbe.

Megjithatë pas konfirmit zyrtar të dates 14 shtator kemi reagimin zyrtar të SHBA –së në  Mal të Zi

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, Judy Rising Reinke, e cilësoi shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi si “moment historik” për demokracinë e këtij vendi. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i shpalli të hënën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 30 gushtit, në bazë të të cilave partitë e deritashme opozitare kanë fituar shumicën e mandateve për deputetë. “Qeveria amerikane i gëzohet partneritetit me qeverinë e ardhshme, të konstituuar përmes një procesi demokratik”, tha ambasadorja Reinke në një deklaratë dërguar mediave në Mal të Zi.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, thanë se zgjedhjet në Mal të Zi janë mbajtur në atmosferë të qetë dhe konkurruese.

Ata thanë se janë në pritje të konstituimit të kuvendit të ri dhe formimit të një qeverie të re, që do të vazhdojë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.

-Shqipëria si” pikëprerje” mes Bjellorusisë dhe Malit të Zi .

Si në rastin e Bjellorisë dhe Malit të Zi, Shqipëria ka patur rol gati protagonist ose më saktë një rol që pati impakt publik pavarësisht jo efikasitetit që prodhoi më pas.

Në Bjellorusi pas krizës politike, Shqiperisa si kryesuese e OSBE-se tentoi të luante rolin  e ndërmjetësit. Pavarësisht se kjo gjë nuk u pranua  në mënyrë kategorike nga Lukashenko duke e cilësuar  krizën politike në vend si problem i brendshëm.

Ndërsa në Malin e Zi, e shohim në rolin e mikut dhe “vëllait”, por ama kësaj radhe jo  i shqiptarëve  por i Kryeministrit  Gjukanovic. Mbështetja dhe thirrja e Kryministrit Rama që të votohej Partia e Gjukanoviç solli pakënaqësi mes partive shqiptare ,madje disa prej tyre e cilësuan deklaratën e  tij edhe si përçarse.

Tashme vitin e ardhshëm Shqipëria do të mbaje zgjedhjet parlamentare e përballë dy shembujve të mesiperm mbetet për t’u parë  se cilin skenar do të zhvillohet në Shqipëri. Vete opozita ka paralajmëruar protesta në rast se Rama fiton një mandat të tretë sikunder po ndodh në Bjellorusi, megjithate nuk e dijmë nese  Rama do të marre shembull Malin e Zi në rast se opozita i fiton zgjedhjet(!?)

Ende jemi heret deri në diten e votimeve të 25 Prillit 2021, ama kemi gjithë kohën e duhur që të parandalohet çdo skenar që nxit dhunë .Perkundrazi, të ruhet nocioni i zgjedhjeve të Lira e Demokratike pasi një tjetër krize politike nuk i duhet dhe nuk e meriton Shqipëria.

/argumentum.al

© Argumentum