Zgjedhjet parlamentare 2021/ Kryeministri Rama nis garën për mandatin e tretë. PS është i vetmi emër që nuk vihet në diskutim

Sezoni i ri politik dhe sezoni i fundit i këtij mandati për  qeverinë Socialiste ka filluar në Elbasan. Grupi parlamentar i PS u mblodh sot për rreth 90 minuta ku kreu i kësaj partie, Edi Rama u ka përcaktuar detyrat deputetëve të tij në prag të zgjedhjeve të 2021.

Teksa ka bërë krahasimin me opozitën tha se shqiptarët e dinë shumë mirë se nuk kanë asnjë alternativë më të mirë se ai.

Ai ndër të tjera tha se  nëse do të votohej këtë të dielë PS do t’i fitonte  zgjedhjet, por kjo sipas tij nuk mjafton:

’Nuk dyshoj se nëse do të votohej këtë të dielë do të fitonim zgjedhjet. Por s’besoj se do fitonim të gjitha zemrat e atyre që na kanë votuar, apo s’na kanë votuar dhe as do e votojnë atë forcë apo grup forcash që na kanë përballë.

Këtë të dielë do merrnim më pak vota se sa meritojmë. Kurse ata do merrnin më pak se 3 vite më parë. Populli pret shumë më shumë nga ne, dhe asgjë nga ata. Dhe kanë të drejtë‘’- shtoi Rama.

Po e nis nga vetja dhe jo pa qëllim publikisht me zë të lartë, që kam priviligjenin të drejtojë shtëpinë tonë të përbashkët. A jam unë kryeministri më i mirë që mund të jem për ta, po ju jeni deputetët më të mirë që mund të kenë qytetarët? A është kjo që kemi bërë më e mira? Shqiptarët sot nuk e kanë një alternativë më të mirë, se sa unë dhe sa ju, këtë ata e dinë. Shumica e tyre nuk e diskuton, por kjo nuk më mjafton fare dhe atyre jo e jo.

Ndërkohë në mbledhje janë caktuar edhe drejtuesit politikë të kësaj partie për çdo qark.

Drejtuesi politik i qarkut Durrës, Vangjush Dako, është larguar nga ky post dhe qarku në fjalë do të drejtohet nga vetë Rama.

Safet Gjici do të drejtojë qarkun Kukës, ndërsa Ilir Beqaj atë të Shkodrës.

Tirana do të ndahet mes Erion Veliajt, Elisa Spiropalit dhe Ervin Bushatit.

Në Lezhë PS do të drejtohet nga Lindita Nikolla.

Emrat si më poshtë:

Kukës – Safet Gjici

Shkodër – Ilir Beqaj

Lezhë – Lindita Nikolla

Tiranë, Erjon Veliaj, Elisa Spiropali / Ervin Bushati

Durrës – Përkohësisht Edi Rama.

Dibër – Olta Xhaçka

Elbasan- Taulant Balla

Korçë – Niko Peleshi

Fier – Gramoz Ruçi

Vlorë – Damian Gjiknuri

Gjirokastër – Bledi Çuçi

Kryeminsitri Rama paralajmeroi se, nuk do të firmosë asnjë emër nga kandidatët për deputetë, nëse nuk japin gjithçka për filozofinë, që përfaqëson PS-ja në elektorat.

“Deputetë jemi në sallën e Kuvendit, ndërsa jashtë saj nga sot, ne jemi kandidatë për deputetë, që duhet të fitojmë vendin në skuadër çdo ditë, pa pushim dhe nëse unë personalisht për shkak të detyrës, do të duhet të firmosë në fund formacionin që do dalë në fushë, le ta dëgjojnë të gjithë ata që na ndjekin se kush nuk do të japë jo thjesht gjithçka ka, nuk mjafton, por gjithçka duhet për t'u futur në formacion, nuk do të jetë në formacion. Askush tjetër përveç PS, nuk e çon Shqipërinë dot përpara dhe PS është i vetmi emër që nuk vihet dot në diskutim. Emrat e tjerë, duke filluar nga unë i pari, shkojnë e vijnë.”, tha Rama.

Sa i përket Asamblesë, PS ka vendosur që ajo të mblidhet në 4 shtator.