Zgjedhjet parlamentare, Meta thërret në takim krerët e partive politike për t’u konsultuar

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka thirrur për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve kryetarët e partive politike.

Kreu i shtetit ka kërkuar që t’i takojë ditën e premte, përkatësisht në orën 11:00 kryeministrin Edi Rama dhe në orën 12:00 kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Në letrat drejtuar sekretarëve të përgjithshëm të dy forcave politike, Meta shprehet se pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve konsensuale në Kodin Zgjedhor si dhe në vijim të traditës së mirë, ka vendosur nisjen e procesit të konsultimeve me partitë politike me qëllim caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Me ndryshimet e reja të kodit zgjedhor, të miratuara me konsensus në këshillin politik dhe të votuara në parlament, periudha zgjedhore do të jetë nga data 15 prill, deri në 15 maj.

Më herët presidenti Meta është shprehur gjatë konferencave të tij të përjavshme se është gati të dekretojë si datë zgjedhjesh të dielën e parë brenda kësaj periudhe, që përkon me datën 18 prill.