Basha: Do anulojmë kontratat e inceneratorëve, SPAK të bëjë detyren

Kryedemokrati Lulzim Basha tashmë, në konferenca të përditshme për shtyp ka denoncuar çështjen e incenaratorëve, të cilën e konsideron një aferë të madhe korruptive përmes të cilës sipas tij po vidhen lekët e shqiptarëve.

I pyetur nga gazetarja e Euronews Albanian, Eksiola Shehu se cili do të jetë qëndrimi i PD nëse vjen në pushtet lidhur me inceneratorët dhe a do të vazhdojë me të njëjtin model për djegien e mbeturinave, z. Basha u përgjigj se PD do të pezullojë, hetojë dhe anulojë kontratat për tre inceneratorët dhe do të çojë përpara përgjegjësisë ligjore cilindo zyrtar të përfshirë në atë që e cilësoi aferë të madhe korruptive.

“Modeli që kemi shpallur prej fillimit për çdo aferë korruptive do të zbatohet edhe për këtë aferë.

Mbi dispozitat e ligjit antimafie jo vetëm do të pezullohen, hetohen dhe anulohen kontratat korruptive të tre inceneratorëve, por edhe çdo kontratë tjetër korruptive dhe çdo zyrtar, nga më i thjeshti tek më i larti do të vihet para ligjit.

Shqipëria ka pasur një plan për mbetjeje së bashku me qeverinë gjermane dhe Bankën Botërore, atë të landfilleve të cilin Rama e gjeti gati.

Ky plan mund të zbatohet me transparencë dhe garë të hapur.

Po të ndodhte kështu, Shqipëria e ka mundësi në që mbledhja dhe trajtimi i mbetjeve të bëhen në mënyra bashkëkohore dhe shteti të mos nxjerrë asnjë qindarkë shtesë nga taksapaguesit. Të mos harrojmë që çdo shqiptar paguan taksën e pastrimit”, tha kreu i PD.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ripërsëriti planin e tij me pesë pika për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë e pandemisë së koronavirusit.

Basha theksoi se qeveria ka braktisur sistemin shëndetësor, ka mashtruar e gënjyer mjekët e infermierët për bonusin, si dhe ka lënë shkollat në mëshirë të fatit.

“Sistemi shëndetësor vazhdon të mbetet e braktisur, i papërkrahur. Çdo mjek duhet të jetë i pajisur me pajisjet mbrojtëse për vetveten dhe pajisjet që luftojnë virusin. Bonusi prej 1 mijë euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët është një premtim i pazbatuar, gënjeshtër. Pika e dytë ka të bëjë me hapjen e shkollave dhe pasojat që kjo ka sjellë si për mësuesit, stafin, ashtu dhe nxënësit e familjarët e tyre. Kemi kërkuar testimin periodik të tyre, sic e bëri Kosova, por refuzojnë ta bëjnë.

Në shkolla vazhdon të mungojë uji i rrjedhshëm për të larë duart, nuk ndodh dezinfektimi i klasave. Po kështu, asnjë hap për të garantuar teknologjinë e nevojshme për vogëlushët që nuk kanë nevojë, për t’iu mundësuar mësimin. Kryeministri shqiptar është i vetmi që nuk e vë ujin në zjarr, që e ha turpin me bukë. Premtoi paketë të re ndihme, por nuk ka paketë të tretë për asnjë”, tha Basha.