Biden kritikon politikat e Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

Kandidati për president i SHBA-ve Joe Biden ka lëshuar një deklarate përmes së cilës u drejtohet shqiptarëve. Mes tjerash Biden dhe kandidatja për nënpresidente Kamala Harris deklarojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Sipas tyre Trump ka bërë politika të pabalancuara mes Kosovës dhe Serbisë.

Përsa i përket Shqipërisë, ata thonë se do ta mbështesin për integrimin në Bashkimin Europian.

Gazetari shqiptar në Zvicër, Enver Robelli, shkruan në rrjetet sociale se në deklaratën e kandidatit Joe Biden dhe për kandidates për nën-presidente Kamala Harris, thuhet se:

– Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

– Biden deklarohet si mbrojtës i integritetit territorial të Kosovës dhe insiston që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të përfshijë njohjen e ndërsjellë

– Joe Biden ka përkrahur ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës me 1999

– Biden kritikon politikën e “pabalancuar” të Trumpit ndaj Kosovës dhe Serbisë, me fjalë të tjera Biden kundërshton qëndrimet e ashpra e arrogante të ekipit të Trumpit ndaj Kosovës.

– Natyrisht Biden thekson se do të përkrahë Shqipërinë dhe integrimin e saj në BE

– Në pikën e parë të deklaratës Biden citon Veton Surroin: “Ai ka qenë njeriu të cilit i kemi telefonuar në Ëashington edhe në fillim të viteve 90-të…”