BKH flet pas kallëzimit nga të skualifikuarit: Kriteret për pranimin e hetuesve janë ndërtuar sipas modelit të FBI-së

Byroja Kombëtare e Hetimit ka sqaruar mënyrën e përzgjedhjes së aplikantëve dy ditë pasi një prej aplikantëve të skualifikuar nga gara paditi drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, kreun e SPAK-ut, Arben Kraja dhe dy anëtarët e Komisionit Vlerësues, Dritan Prençi e Vladimir Mara në Gjykatën Administrative, për manipulim të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve.

Përmes një reagimi zyrtar, BKH sqaron se kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish.

Në reagim shkruhet se të gjitha hapat e përzgjedhjes së aplikantëve janë ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë.

Gjithashtu në reagim shkruhet se SPAK beson se këto standarte janë të larta për të siguruar që hetuesit e BKH-së janë të përgatitur dhe të aftë për të kryer punën e vështirë që i pret para, duke mos pranuar akuzat e ngritura.

Reagimi i plotë:

Byroja Kombëtare e Hetimit, me qëllim përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj popullit shqiptar, duhet t’ju përmbahet standarteve më të larta. Me këtë qëllim, kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish.

Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej tyre të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë.

Keta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe figurës.

Ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej Komisionit Ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme. SPAK beson se këto standarte të larta do të jenë faktorë të rëndësishëm për të siguruar që hetuesit e BKH-së janë të përgatitur dhe të aftë për të kryer punën e vështirë që i pret para.

 

h.e/Argumentum