Covid-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve paralajmëron masa shtesë për pandeminë

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur unanimisht të propozojë që universitet të zhvillojmë vetëm mësim online për të paktën një muaj, ndërsa po vlerësohet mbylljen e bareve dhe kafeneve në zonën e ish-bllokut pasi konsiderohen si vatër infeksioni.

Deklarata është bërë nga zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli. Hapja e universiteteve ishte parashikuar të bëhej duke nisur nga java e ardhshme.

Përveç mësimit online, Komiteti i Ekspertëve ka kërkuar që konviktet të qëndrojnë të mbyllura deri në një vendim të dytë.

“Nisur nga dinamika e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se është e nevojshme të keni masa shtesë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksioni”, tha znj. Rakacolli.

Ajo paralajmëroi se nëse nuk tregohet disiplinë do të ketë mbyllje të mëtejshme ndaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë maskë dhe të ruajnë distnacimin fizik.

"Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojme mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve", deklaroi znj. Rakacolli.

Ajo tha se dy javë e fundit ka pasur një rritje të rasteve të infektimeve duke shtuar në 130 raste për 100 mijë banorë.

Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se, aktualisht në të gjithë vendin janë 500 vatra aktive të infeksionit, ku 35% prej tyre janë vetëm në Tiranë.

Kjo rritje tha znj. Rakacolli përkon me lehtësimin e masave shtrënguese duke veçuar hapjen e bareve dhe restoranteve apo hapjen e shkollave.

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë shënuar 275 raste të reja me koronavirus prej 1422 testeve të kryera.

Janë shëruar 114 qytetarë, duke e çuar në 11,007 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:

163 raste në Tiranë, 30 në Korçë, 15 në Shkodër, 12 në Durrës, 11 në Pogradec, 9 në Librazhd, 7 në Lezhë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, Mat, nga 2 raste në Devoll, Elbasan, Vlorë, Mirditë, Berat, nga 1 rast në Has, Kavajë, Pukë, Mallakastër, Kamëz, Gjirokastër, Përmet, Prrenjas, Kuçovë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 291 pacientë, 13 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, ne 24 oret e fundit, kanë humbur jetën 6 qytetarë me Sars Cov2 pozitiv në 2 spitalet Covid: 61 vjeç nga Korça, 67 vjeç nga Pogradeci, 69 vjeç nga Lezha, 71 vjeç Vlorë, 73 vjeç nga Fieri dhe 74 vjeç nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët për të mbajtur detyrimisht maskën edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID19.