Dështon marrëveshja/ Armenia dhe Azerbajxhani akuzojnë njëri-tjetrin se kanë shkelur armëpushimin e arritur një ditë më parë.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë akuzuar njëri-tjetrin se kanë shkelur armëpushimin e arritur një ditë më parë.

Azerbajxhani më 11 tetor e akuzoi Armeninë se ka bombarduar një qark të banuar nga civilët në Ganja. Zyrtarët thanë se tetë civilë janë vrarë dhe 33 janë lënduar në këtë incident.

Agjencia Retuers ka raportuar se korrespondentët kanë parë të paktën një trup të pajetë, teksa nxirrej nga një ndërtesë banimi në Ganja.

Por, Ministria e Mbrojtjes së Armenisë ka thënë se këto pretendime janë “gënjeshtra” dhe e ka akuzuar Azerbajxhanin se ka bombarduar në pjesë të ndryshme të rajonit të Nagorno Karabakut, përfshirë edhe në qytetin më të madh në këtë rajon, Stepanakert.

Baku po ashtu ka akuzuar Armeninë se ka tentuar që të kryejë sulme me raketa dhe dronë në një stacion elektrik në Mingchevi, por pa sukses.

Arayik Haratyunyan, lideri i forcave etnike armene në Nagorno Karabak tha se marrëveshja e armëpushimit – e ndërmjetësuar nga Rusia – ende është në fuqi, por situata vazhdon të jetë e tensionuar.

Ai shtoi se shkëmbimi i të burgosurve – që është pjesë e kësaj marrëveshjeje – pritej që të niste më 11 tetor, por tashmë ka dyshime se ky proces mund të nis.

Më 10 tetor, Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësimin e Rusisë arritën marrëveshje armëpushimi. Pjesë e marrëveshjes, përveç ndaljes së armiqësive, është shkëmbimi i të burgosurve dhe kthimi i trupave të vrarë.

Në marrëveshje thuhet po ashtu se palët do t’i kthehen tavolinës së bisedimeve dhe negociatat do të ndërmjetësohen nga Grupi i Minskut, që përbëhet nga Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Luftimet në Nagorno Karabak nisën më 27 shtator dhe po konsiderohen si më të ashprat në vitet e fundit.

Rajoni i Nagorno Karabakut ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Por, ky rajon ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene, që mbështeten nga Jerevani, që prej 1994, kur ishte arritur një marrëveshje armëpushimi, që i dha fund një konflikti të separatistëve.

Që atëherë, Nagorno Karabaku është banuar dhe qeverisur nga armenët etnikë, duke detyruar qindra-mijëra azerbajxhanas të largohen nga rajoni dhe të shpërngulen.