Greva e naftëtareve, Kryeministri Rama: Pa u ndalur greva nuk ka asnjë bashkëbisedim!

Pas dy thirrjeve të Kryeministrit Rama për naftëtaret ku i bën thirrje për ndërprerjen e  greves dhe më pas bashkëbisedim me qeverinë, naftëtaret e kanë refuzuar këtë apel. “Nuk kemi pse e ndërpresim grevën, negociata le të bëhen paralel”, shprehen naftëtaret greviste.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter, z. Rama shprehet se ndihet i keqardhur për refuzimin dhe insiston se pa u ndalur greva nuk do të ketë asnjë bashkëbisedim.

Keqardhje për refuzimin për të ndërprerë grevën në Ballsh, sepse pa u ndalur greva nuk do të nisë dot asnjë bashkëbisedim! Ideja se duke u futur në grevë për t'ia faturuar qeverisë kusuret e kompanisë private është shumë e gabuar. Me t'u ndalur greva ulemi bisedojmë vëllazërisht”, shkroi kryeministri në Twitter.

Ky është apeli i dytë për ditën e sotme nga ana e kryeministrit për gratë naftëtare përmes rrjeteve sociale që të ndërpresin grevën e urisë.

Ndërkohë që kanë hyrë në ditën e shtatë të grevës, naftëtarët e Ballshit thonë se askush nga qeveria nuk ka kërkuar që të zhvillojë negociata me ta.

“Nuk e kemi kundërshtuar bisedimin me kryeministrin apo zyrtarë të tjerë, por nuk na është kërkuar kjo gjë. Nuk na është kërkuar një diçka e tillë siç thotë kryeministri. Nuk kemi pse e ndërpresim grevën, negociata le të bëhen paralel”, shprehet naftëtarja greviste.

Opozita e ka akuzuar qeverinë se ajo është shkaktare për situatën e krijuar me naftëtarët, të cilët kanë 16 paga pa marrë, ndërkohë që rafineria e Ballshit nuk punon prej muajsh pasi kompanitë që e administronin kanë mbyllur aktivitetin pas deklarimit në humbje.

Nga ana tjetër qeveria ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës duke e akuzuar atë se kur qeveriste vendin e privatizoi rafinerinë në mënyrë korruptive duke i lënë vend abuzimeve.

Prej më shumë se 25 ditësh naftëtarët protestojnë me grevë urie për të marrë pagat dhe për të rinisur punën në rafineri. Javën e fundit grevën e kanë vijuar gratë, ndërsa në një intervistë të fundit ato kanë deklaruar se nëse nuk do të marrin përgjigje për kërkesat e tyre, grevës do t'i bashkohen edhe fëmijët e tyre.