Kodi Zgjedhor/ Kryeministri Rama: Askush nuk mund të vërë në diskutim vullnetin e Parlamentit,

Kryeministri dhe kreu i PS, Edi Rama ka mbledhur në selinë rozë drejtuesit politikë në qarqe dhe shtabet elektorale.. Drejtuesit politik do të raportojnë mbi ecurinë e përgatitjes së zgjedhjeve.

Konkretisht në mbledhjen e sotme po diskutohet për pjesëmarrjen e anëtarësisë në vlerësimin e deputetëve nëpërmjet portalit “deputeti që duam”.

Partia Socialiste ka nisur një proces sa i përket vlerësimit të deputetëve. Pas përfundimit të këtij procesi, PS do të hartojë edhe listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë.

Pas takimit në selinë rozë, kreu i mazhorancës foli para gazetarëve ne lidhje me kthimin e kodit zgjedhor ne parlament nga Presidenti Meta. Rama tha se nuk mund të vihet në diskutim vullneti i Parlamentit.

“Do ta votojmë sa më shpejt kur të caktohet seanca e votimit pa asnjë ndryshim, pikë dhe presje. Do ta votojmë kodin siç është votuar nga parlamenti me një shumicë që është kuptimplotë dhe askush nuk mund të verë në diskutim vullnetin e parlamentit, aq më tepër Ilir Meta”, tha Rama.

Kujtojme se Presidenti Ilir Meta riktheu për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuar nga mazhoranca pa dakordësinë e PD në Këshillin Politik.

Në “punimin shkencor” prej 81 faqesh, siç vetë ai e quajti nga Devolli, Kreu i Shtetit argumenton se votimi i 5 Tetorit është antikushtetues, bie ndesh me standardet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

“Për ti dhënë mundësi maxhorancës të reflektojë” u shpreh Meta.

© Argumentum