Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Marrëveshja me SHBA, mundësi për investimet në Shqipëri

Në Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë po shënon 20-vjetorin e themelimit të saj, në valën e një serie sfidash dhe projektesh të mëdha ekonomike për Shqipërinë dhe rajonin.

Presidenti i saj, Enio Jaço, thotë se Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, që u nënshkrua javën e kaluar, pritet të ngrejë në nivele të ndjeshme investimet dhe shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve.

Shqipëria, thotë ai, pritet të përfitojë ndjeshëm edhe nga projektet e përfshira në marrëveshjen Kosovë – Serbi.

Ky 20 vjetor i themelimit e gjeti Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri me një seri projektesh dhe sfidash përpara. Edhe pse një vit pandemie dhe dëmtimesh të tjera, nënshkrimi i memorandimit për bashkëpunim ekonomik Shqipëri-SHBA dhe marrëveshje të tjera me rëndësi për ekonominë e rajonit e kanë kthyer optimizmin tek anëtarët e Dhomës Amerikane.

Presidenti i saj, Enio Jaço, thotë se këto 20 vjet e deri sot Dhoma Amerikane e Tregtisë ka qenë shumë produktive, e strukturuar mirë me vision të qartë, në mbrojtje të të drejtave të anëtarëve dhe të komunitetit të biznesit.

Mendoj se ajo ka dhënë një impakt të lartë në mbrojtje të ekonomisë së tregut, parimeve të ekonomisë së tregut, gjithmonë ka denoncuar praktikat e pandershme, ka promovuar praktikat transparente dhe ka ndikuar në mënyrë të vazhdueshme drejt përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri” – thotë zoti Jaço.

Javën e shkuar u nënshkrua në Tiranë Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri – SHBA, ku theksi kryesor u vu tek investimet dhe raportet e biznesit. Zoti Jaço thotë se ky memorandum është nga më të rëndësishmit që nga vitet 90 në lidhje me bashkëpunimin ekonomik shqiptaro – amerikan dhe dëshmon interesin e SHBA-ve për ekonominë e Shqipërisë dhe të rajonit. Projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës është një lajm shumë i mirë për ekonominë shqiptare.

“Tani që projektet TAP dhe Devolli janë drejt përfundimit të tyre, Skavica do të ofrojë një impuls të ri, do të ofrojë një numër të madh punësimesh për shqiptarët. Gjithashtu do të ofrojë mundësi pune për nën kontraktorët shqiptarë, përfshirë edhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Po është më shumë se kaq. Në të njëjtën kohë I mundëson Shqipërisë një pavarësi energjtike, po gjithashtu mundëson që të jetë një lider në rajon sa i përket energjisë” – thotë zoti Jaço.

E nxitur nga marrëveshjet e fundit ekonomike në rajon, Dhoma Amerikane të Tregtisë në Shqipëri po forcon bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, së pari me me Dhomën Amerikane në Uashington si dhe me rrjetin e gjerë të 109 dhomave amerikane në të gjithë botën për të rritur investimet e huaja këtu. Ndërkohë, klima e biznesit mbetet për t’u përmirësuar, duke nisur nga heqja e pengesave si monopolet dhe tregtia e pandershme, thotë zoti Jaço, kërkesa këto që përsëriten për vit, por nuk vlerësohen sa duhet.

“Klima e biznesit është më e rëndëishme se kurrë në këtë moment. Nëse deri tani ne kemi një bilanc tregtar me SHBA, i cili ka qenë nën potencialin e saj, tani ne kemi mundësi përmes këtij memorandumi që ta rritim këtë potencial ndoshta në nivelet më të larta në Ballkan. Kush mund ta pengojë arritjen e këtij ptenciali? Një nga arsyet mund të jetë klima e biznesit” – thotë zoti Jaço.

Krahas memorandumit ekonomik SHBA – Shqipëri, Dhoma Amerikane e Tregtisë sheh me optimizëm edhe marreveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, që u nënshkrua në Uashington. Drejtuesi i saj, Enio Jaço, thotë se marrëveshja për normalizimin do të transformojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe Kosovës, por do të ketë një ndikim pozitiv për Shqipërinë. Në marrëveshje përmendet ndërtimi i një infrastrukture gjigande, që lidh Serbinë me Kosovën, dhe del në një nga portet detare të Shqipërisë.

“Nëse kjo ndodh, atëherë do të thotë se kjo e shndërron Shqipërinë në një lloj qendre rajonale për sa i përket tregtisë rajonale, me një perspektivë të gjerë me një impakt shumë të lartë. mendoj se do të jetë një potencial i jashtëzakonshëm dhe do të jetë detyra e politikës dhe e sektorit privat që ta bëjë të mundur këtë realitet” – thotë zoti Jaço.

Dhoma Amerikane e Shqipërisë ka marrëdhënie shumë të mira me Dhomat amerikane në Kosovë, në Serbi, në Maqedoninë e veriut etj. dhe nga fryma e bashkëpunimit do të vijë ofrimi i punës për nënkontraktorët e rrjetit të tyre, thotë zoti Jaço, por natyrisht kjo është një mundësi e madhe edhe për bizneset e tjera shqiptare. Dhoma Amerikane me anëtarët e saj përfaqëson një bashkim kompanish me 38 mijë punonjës dhe me xhiro të përbashkët sa 21 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë.

Intervista me Presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Enio Jaço:

Zëri i Amerikës: Zoti Jaço! 20 vjet nga themelimi i saj, cili është bilanci i Dhomës Amerikane në Shqipëri?

Enio Jaço: Mendoj se Dhoma Amerikane e Tregtisë ka qenë shumë produktive gjatë këtyre 20 vjetëve. Ajo është një nga institucionet me struktura nga më të qartat që unë kam parë në Shqipëri, me vizion të qartë, krejtësisht në mbrojtje të të drejtave të anëtarëve dhe të komunitetit të biznesit në përgjithësi. Është një institucion i pavarur politikisht, por më i rëndësishmi është produkti, që Dhoma AMerikane e Tregtisë ka mundur të krijojë dhe të orfrojë Shqipërisë dhe komunitetit të biznesit gjatë këtyre 20 vjetëve.

Mendoj se ajo ka dhënë një impakt të lartë në mbrojtje të ekonomisë së tregut, parimeve të ekonomisë së tregut, gjithmonë ka denoncuar praktikat e pandershme, ka promovuar praktikat transparente dhe ka ndikuar në mënyrë të vazhdueshme drejt përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri.

Për arsye të këtij kontributi mendoj se Dhoma jonë ka krijuar një aleancë të gjerë me një numër të madh kompanish, që përfaqësojnë rreth 38 mijë punonjës, rreth 2.8 miliardë xhiro dhe bilanc të përbashkët të këtyre kompanive, që është rreth 21 për qind e GDP-së shqiptare, e ekonomisë shqiptare.

Gjej rastin t’u ofroj anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, se ne kemi asamblenë e përgjithshme javës që vjen. I ftoj të gjithë të regjistrohen, të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe të japin kontributin e tyre drejt një qeverisjeje korporative sa më të mirë dhe sa më demokratike në AmCham.

Zëri i Amerikës: Javën e shkuar u firmos Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri – SHBA, ku theksi vihet sidomos te investimet dhe raportet e biznesit të dy vendeve. A do të ketë AmCham një rol të shtuar pas kësaj?

Enio Jaço: Ky memorandum mendoj se është nga më të rëndësishmit që nga vitet 90 në lidhje me bashkëpunimin ekonomik shqitaro – amerikan. Në radhë të parë do të flas pak për Skavicën, e cila është pjesë e këtij memorandumi, i cili ofron një impuls të ri për ekonominë shqiptare në përgjithësi. Ky është një lajm shumë i mirë për ekonominë shqiptare. Tani që projektet TAP dhe Devolli janë drejt përfundimit të tyre, hidrocentrali i Skavica do të ofrojë një impuls të ri, do të ofrojë një numër të madh punësimesh për shqiptarët. Gjithashtu do të ofrojë mundësi pune për nënkontraktorët shqiptarë, përfshirë edhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Po është më shumë se kaq. Në të njëjtën kohë Skavica i mundëson Shqipërisë një pavarësi energjitike, po gjithashtu mundëson që të jetë një lider në rajon sa i përket energjisë.

Së dyti, ky memorandum dëshmon për interesin ndaj ekonomisë që SHBA kanë për Shqipërinë dhe për rajonin. Edhe ky është një lajm shumë i mirë.

Së treti, në lidhje me Dhomën Amerikane të Tregtisë, ka një element që e ndërthur dhe e rrit nevojën për shkëmbime të tjera. Ne kemi filluar punën së brendshmi në lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit. Po ashtuedhe në marrëdhëniet tona me partnerët tanë ndërkombëtarë në radhë të parë me Dhomën Amerikane në Uashington si dhe me rrjetin e gjerë të AmCham-eve. Janë mbi 109 AmCham-e në të gjithë botën dhe ka shumë mundësi për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe shtimin e investimeve.

Zëri i Amerikës: Nisur nga problemet që ka sot klima e biznesit në Shqipëri, ku i shihni mundësitë për rritjen e pranisë së investitorëve amerikanë?

Enio Jaço: Klima e biznesit është më e rëndësishme se kurrë në këtë moment. Nëse deri tani ne kemi një bilanc tregtar me SHBA, i cili ka qenë nën potencialin e saj, tani ne kemi mundësi përmes këtij memorandumi që ta rritim këtë potencial ndoshta në nivelet më të larta në Ballkan. Kush mund ta pengojë arritjen e këtij potenciali? Një nga arsyet mund të jetë klima e biznesit.

Ne publikojmë një raport të përvitshëm mbi Indeksin e Dhomës , i cili ka marrë shumë vëmendje. Vitin që kaloi kemi patur një problematikë më të gjerë se sa vitet e tjerë. Ne kemi krijuar një grup ekspertësh brenda AmCHam-it , i cili punon në mënyrë serioze në lidhje me adresimin e këtyre problemeve, përmes ndërtimit të një pakete rekomandimesh. Ky është një grup, i cili do të punojë edhe me ekspertë të huaj dhe të brendshëm, kemi vendosur marrëdhënie shumë konstruktive me ministritë përkatëse, me ministrinë e financave dhe ekonomisë, si dhe me ministrinë e sipërmarrjes, të cilët janë partnerët tanë qeveritarë për ta çuar më tej këtë bashkëpunim. Mendoj që ka një vullnet, por do të isha një optimist i kujdesshëm në lidhje me realizimin e këtyre rekomandimeve, ndaj do të shohim në muajt e ardhshëm.

Një nga elementet kryesorë kanë qenë monopolet dhe tregtia e pandershme. Kjo është diçka që e kemi diskutuar gjithmonë. Po ashtu fuqizimi i kapitalit njerëzor, në një mënyrë të tillë, që t’i paraprijë sfidave të ekonomisë së tregut në kushtet në të cilat ne jemi. Sfidat ndryshojnë ; jemi në disa sfida të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për botën, si COVID-19 et., që u dha një impakt të jashtëzakonshëm negativ gjithë bizneseve. Kjo do të krijojë një rikonfigurim të tregut në mënyrën se si bizneset do të vazhdojnë të funksionojnë, si do të ofrojnë shërbimet e tyre dhe kjo kërkon një fuqi punëtore, e cila duhet të jetë e pajisur me cilësi të tjera. Nuk do të doja të flisja shumë, sepse disa nga pengesat janë bërë publike, ndërsa pengesat e reja po studiohen dhe do të publikohen në fund të studimit.

Zëri i Amerikës: A ofron mundësi për t’u shfrytëzuar nga Shqipëria dhe Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë?

Enio Jaço: Marrëveshja e Normalizimit të Marrëdhënieve mes Sqipërisë dhe Kosovës mendoj që është e një tjetër rangu, e një tjetër dimensioni, e një tjetër shkalle, e pakrahasueshme me ato që po flasim deri tani. Në radhë të parë ajo do të orfrojë një transformim në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Por këtu ka një impakt pozitiv edhe për Shqipërinë. Kjo është një marrëveshje, që ka një projekt brenda, i cili krijon një infrastrukturë gjigande, që lidh Serbinë me Kosovën në mënyrë tregtare, por që ka një dalje në një nga portet e detiti Adriatik, mund të jetë një nga portet shqiptare.

Nëse kjo ndodh, atëherë do të thotë se kjo e shndërron Shqipërinë në një lloj qendre rajonale për sa i përket tregtisë rajonale, me një perspektivë të gjerë me një impakt shumë të lartë. Mendoj se do të jetë një potencial i jashtëzakonshëm dhe do të jetë detyra e politikës dhe e sektorit privat që ta bëë të mundur këtë realitet.

Projekti nuk ka filluar akoma, do të nënshkruhen edhe marrëveshje të tjera shtesë. Mendoj që anëtarët e AmCHam-it e gjejnë veten ndoshta pak më shumë se bizneset e tjera, do të jenë gjithnjë të ndërlidhura me Dhomat e tjera amerikane. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Dhomat Amerikane në rajon: në Kosovë, në Serbi, në Maqedoninë e Veriut etj. Fryma e bashkëpunimit gjithmonë do të jetë dhe ofrimi i punës për nënkontraktorët, që kanë një marrëdhënie dhe janë pjesë e rrjetit, do të jetë diçka plus, diçka pozitive. Natyrisht kjo është një mundësi edhe për bizneset e tjera shqiptare. /VOA