Kryeprokurori i Përgjithshëm konstaton se krimi po kontrollon Elbasanin (!)

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka ngritur alarmin se krimi i organizuar po kontrollon qytetin e Elbasanit.

Në një takim me prokurorët atje, ai u shpreh se prokuroria dhe policia nuk mund ta tolerojnë më që ky qytet të përdoret për të larë hesapet mes bandave, prandaj shtoi se ndaj tyre duhet një përgjigje ekzemplare.

Ndër të tjera, Çela ka kërkuar më shumë bashkëpunim me institucionet e tjera ligjbatuese, ndërsa inkurajoi prokurorët për hetim të pavarur.

“Niveli i krimit është në rritje. Në Elbasan po vihen re shenja të qartë të kontrollit të krimit të organizuar. Këto shenja të qarta të krimit të organizuar kërkojnë një përgjigje ekzemplare nga ana e strukturave të shtetit.

Një qytet nuk mund të tolerohet të kthehet në një skenë krimi. Këto janë ngjarje që janë vetëm maja e ajsbergut me atë që çfarë ndodh në Elbasan. As Elbasani dhe asnjë qytet tjetër nuk mund të kthehet në kontroll të grupeve kriminalë. Asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë se shteti”, është shprehur Çela.

Kryeprokurori ndër të tjera është shprehur se “niveli i bashkëpunimit duhet të ngrihet në nivele të tjera. Ne po përballemi me një situatë aspak të zakonshme. Shqipëria dhe aq më tepër Elbasani nuk mund të kthehet në një model të Sicilisë së viteve ‘70-‘80. Askush nuk duhet të ndihet i vetëm përballë krimit. Duhet të kërkoni mbështetjen e të gjitha strukturave”./h.e