Kuvendi rrëzon Metën për Kodin, Rama thumbon Bashën për zgjedhjet

Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi sot dekretin e Presidentit Ilir Meta dhe Kodi Zgjedhor i ndryshuar më 5 tetor që hap pjesërisht listat dhe ndryshon formulën e koalicioneve hyn menjëherë në fuqi. Dekreti u rrëzua me 96 vota kundër, një më pak nga 97 votat që mori në seancën e 5 tetorit, kur u miratuan ndryshimet e Kodit Zgjedhor për të reflektuar ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut.

Ndërkohë, këto ndryshime dhe procesi i ndryshimit të Kushtetutës më 30 korrik janë adresuar për opinion në Komisionin e Venecias nga ana e Presidentit Ilir Meta me kërkesën për t’u shqyrtuar me urgjencë.

Meta u ka adresuar atyre tetë pyetje. Venecia ktheu përgjigje duke e pranuar kërkesën për opinion, por refuzoi procedurën e përshpejtuar duke deklaruar se çështja është mjaft komplekse dhe kërkon kohë.

Nisur nga kjo, Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi dhe një grup prej 8 deputetësh të Parlamentit Europian i kërkuan mazhorancës që të presë këtë opinion. Thirrja e tyre u refuzua me arsyetimin se nuk ka kohë, pasi Komisioni i Venecias nuk e sjell dot para muajit dhjetor opinionin në fjalë, kur mblidhet në sesionin e radhës të seancave plenare.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se opinioni është i mirëpritur, por nëse do të propozohen ndërhyrje të tjera në Kod, ato do të bëhen pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Rama reagon për Metën dhe thumbon Bashën

 Kryeministri Edi Rama akuzoi Presidentin Ilir Meta se pas kërkesës së drejtuar Komisionit të Venecias, qëndron synimi i tij për të hedhur në erë zgjedhjet e 25 prillit.

“Venecia është një përpjekje për ta bllokuar këtë proces dhe që Ilir Meta të hedhë në erë zgjedhjet”, u shpreh Rama gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të kësaj të enjteje.

Kryeministri tha se Presidenti po sfidon Parlamentin, jo vetëm me dekretin e kthimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por më shumë me deklaratat që vendosin në mëdyshje legjitimitetin e këtij institcioni.

Në fjalën e tij, kreu i Qeverisë u ndal edhe tek Lulzim Basha, ndaj të cilit nuk kurseu ironitë.

“Luli është në pritje që biologjia të kryejë rotacionin. Pra për arsye moshe, apo goditje në sistemet e mia fizike unë të largohem nga jeta dhe Luli të bëhet Kryeministër”, u shpreh ai.

Përgjigje morën edhe 8 deputetët e së djathtës në Parlamentin Europian, që mbrëmjen e së mërkurë i adresuan një letër ku i kërkonin Kryeministrit të priste opinionin e Venecias dhe më pas të rivotonte Kodin Zgjedhor.

“Më shkruanin dje 8 eurodeputetë të Partive Popullore Europian, që janë të tronditur. Por për çfarë janë tronditur?! Si mund të presim ne Venecian deri në dhjetor, ndërkohë që ligji ka kaluar 2 javë më parë. Nuk jemi duke kaluar një ligj të ri. Janë të keqinformuar qëllimisht duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet ndërpartiake”, u shpreh ai.

Meta reagon me foto

 Pasi Kuvendi rrëzoi dekretin për Kodin Zgjedhor dhe nuk priti për opinionin e Komisionit të Venecias, ka ardhur reagimi i presidentit Ilir Meta.

”Asnjë surprizë nga Kuvendi njëpartiak i inceneratorëve dhe mbetjeve. Me qetësi dhe dashuri”, shkruan Meta.

Ai gjithashtu ka publikuar një foto pikante të Kuvendit mbushur me mbeturina për të dhënë mesazhin e tij.

 

h.e/Argumentum