Kuvendi vendos t’i ndalojë me ligj ISKK-së studimin e periudhës së LANÇ

Kuvendi pritet të miratojë sot kufizimin e veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) duke i ndaluar hulumtimin e periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare.

Me dy nisma të ndryshme, të cilat janë futur në rendin e ditës së seancës parlamentare që zhvillohet sot, shumica socialiste ka parashikuar ndryshime të organizimit dhe veprimtarisë së ISKK-së, institut ky i ngritur në vitin 2010 me ligj të posaçëm, që financohet nga shteti dhe ka si qëllim kryesor zbardhjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth krimeve të kryera gjatë diktaturës komuniste.

Nisma e parë (kliko këtu për të parë projekt-ligjin) ia kalon Kuvendit miratimin e strukturës dhe organikës së punonjësve të ISKK-së, ndërkohë që me ligjin e shkuar kjo i takonte qeverisë.

Nisma e dytë (kliko këtu për të parë projekt-ligjin), e kufizon veprimtarinë studimore vetëm për periudhën 29 nëntor 1944 – 8 dhjetor 1990.

Në ligjin e mëparshëm (kliko këtu për të parë ligjin) periudha studimore linte vend edhe për pjesën “përpara datës 29 nëntor 1944” të luftës “gjatë së cilës u zhvillua veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila më pas, u kthye në Parti e Punës”.

Ky ndryshim u propozua vitin e shkuar me nxitje nga deputeti Spartak Braho dhe rreth nëntë deputetë të tjerë socialistë.

Propozimi i tyre hasi në kundërshti nga drejtuesit e ISKK-së, ndërsa diskutimi në Komisionin e Ligjeve kaloi me fyerje dhe etiketime personale mes deputetit Braho dhe studiuesit, njëherësh anëtar të bordit të ISKK-së, Çelo Hoxha – aktualisht drejtues i ISKK-së pas largimit të Agron Tufës.

Përplasjet kryesore lidheshin pikërisht me një botim të Hoxhës me titullin “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1944”, i mbështetur nga bordi i ISKK-së, i cili qe botuar në vitin 2014.

Në këtë botim Hoxha ka listuar 265 emra drejtuesish komunistë të luftës, të cilët ai thotë se, bazuar në dokumente arkivore, kanë përgjegjësi për krime si pushkatime, plaçkitje apo dhe djegie shtëpish në periudhën përpara çlirimit të vendit.

Asokohe Braho e etiketoi Hoxhën “ballist” dhe këmbënguli se ISKK-ja kishte abuzuar me funksionet dhe qëllimet e saj duke “hedhur baltë mbi dëshmorët”.

Ndryshimi ligjor i propozuar nga socialistët e përcakton periudhën e komunizmit nga viti 1944 deri në vitin 1990, mirëpo ligje të tjera kanë përcaktime të tjera për këtë periudhë.

Ligji për statusin e të përndjekurve e njeh periudhën e përndjekjes komuniste “prej 8 nëntorit 1941 deri më 22 mars 1991”, ndërkohë që dëmshpërblimet për këto përndjekje janë caktuar për periudhën “nga 30 nëntori 1944 deri më 1 tetor 1991”./h.e

 

© Argumentum