Mali i Zi, Nik Gjeloshaj dorëzon mandatin e deputetit,

Politikani shqiptar i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj ka vendosur të vijojë të mbajë postin e kryetarit të Komunës së Tuzit.

Gjeloshaj ka bërë me dije se nuk mund të mbajë dy poste, duke dorëzuar kështu mandatin e deputetit, të fituar në zgjedhjet e 30 gushtit.

Në një postim, ai ka bërë me dije se ” Pasi isha zgjedhur deputet me 30 gusht, ishte e nevojshme që nga njëra detyrë të jap dorëheqje. Mbas analizave, kam vendosur që më së shumti mund të jap kontirubut popullit dhe vendit tim, si kryetar i komunës! Lista Shqiptare është organizatë politike serioze, me mbështetjen më të fuqishme të shqiptarëve. Platforma jonë politike përfshinë kërkesat e popullit tonë!

Politikani ka bërë me dije që do të vazhdojë të përfaqësojë kombin shqiptar, teksa shton se detyra si kryetar i Komunës së Tuzit është e shenjtë për të.

Edhe pse për rehati personale dhe familjare, pozita e deputetit për mua do të ishte shumë më e lehtë, zgjodha të vazhdoj punën, pa ndalur për zhvillimin e vendit dhe popullit tim!

Andaj nuk ka funksion që mund të jetë si mundësi, që mund të më levizin në mes të rrugës, për të zhvilluar vendin tonë.

Projekti i fitua i komunës është djersë e derdhur dhe fitore e madhe e gjeneratava të tëra, diasporës dhe partive shqiptare!

Është projekt i shenjtë që askush nuk guxon të mendoj të luaj me të, në çdo menyrë dhe rrethanë që të duhet, do të mbrohet!“, shkruan ai.

Në zgjedhjet e 30 gushtit Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit Millo Gjukanoviq, fitoi 30 vende në përbërjen e re të parlamentit.

Koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, 27 deputetë. Koalicioni, “Paqja është kombi ynë”- 10 dhe koalicioni “E zeza në të bardhë” katër vende.

Partia Boshnjake dhe Social-Demokratët fituan nga tri vende secila, Partia Social-demokrate dy, dhe nga një vend në parlament e kanë fituar: Lista Shqiptare “Nik Gjeloshaj-Genci Nimanbegu” dhe koalicioni “Bashkë një za”.