Maqedonia e Veriut mund të riktheje kufizimet për COVID-19

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në Maqedoninë e Veriut i ka propozuar qeverisë që të kufizojë punën e gjithë bizneseve deri në orën 23:00 ndërsa ka kërkuar edhe përgjysmimin e numrit të udhëtarëve në transportin publik.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se, gjatë javës pret votimi i masave të tjera që varen nga Parlamenti, si maska e detyrueshme dhe kufizimi i grumbullimit të më shumë se katër personave që nuk jetojnë se bashku pas orës 22:00, qoftë jashtë qoftë në shtëpi. Ministri paralajmëroi orë policore nëse nuk respektohen masat dhe ulen numrat e të infektuarve.

"Kemi rritje të numrit të të infektuarve ditëve të fundit. Por këto shifra ishin të pritshme. Spitalet po mbushen, por kemi ende spitalin lëvizës. Me propozimet e fundit për masa restriktive i kemi harxhuar të gjitha mundësitë për funksionim normal, punë normale të të gjithë bizneseve pa kufizime. Hapi i ardhshëm apo propozimi i ardhshëm do ishte ora policore. S’kemi propozime të tjera pas këtyre masave", deklaroi Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Drejtori i Transportit Publik thotë se, do të lëshojnë 40 autobusë të rinj në qarkullim për të përballuar nevojat e qytetarëve me masat e reja të Qeverisë që ndalojnë mbushjen e autobusëve mbi 50% të kapacitetit. Megjithatë, ai thotë se kanë shumë probleme me qytetarët që shfrytëzojnë transportin urban pa maskë dhe nuk kanë si t’i ndalin që të mos hipin në autobus kur është mbushur kapaciteti.

“Aktualisht kontrollorët tanë nuk kanë mekanizma se si ta largojnë udhëtarin pa maskë nga autobusi. Tërheqin vërejtje, por shumë rëndë po na shkon. Për shembull deri tani kemi 7-8 incidente. Sepse njerëzit paguajnë  bileta dhe nuk duan të zbresin për shkak se nuk kanë maskë. Kemi shumë probleme të tilla. Iu kemi thënë shoferëve që të largohen nga stacioni, mos të marrin udhëtarë nëse e kanë mbushur kapacitetin”, shprehet Çushkov, drejtor i Ndërmarrjes për transport publik.

Masë shtesë që ka propozuar ministria e shëndetësisë është që të reduktohet numri i personave që shkojnë në punë në administratën publike, të punohet me turne apo nga shtëpia. Ministria ka vlerësuar se kështu do të ulej edhe numri i udhëtarëve nëpër autobusë. Të gjitha masat e propozuara presin dritë jeshile nga Parlamenti dhe Qeveria gjatë kësaj jave.