Mbahet takimi i parë Azerbajxhan-Armeni, e ndërmjetëson Rusia

Azerbajxhani dhe Armenia kanë zhvilluar takimin e parë që nga nisja e luftimeve për të gjetur një marrëveshje paqeje.

Prej fundit të shtatorit dy vendet janë përfshirë në një konflikt ushtarak në Nagorno-Karabakh.

Zhvillimet e fundit kanë rritur shpresat se një armëpushim mund të ndërmjetësohet në Moskë.

Takimi pason një ftesë të drejtuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka bërë thirrje për ndaljen e veprimeve ushtarake në Nagorno Karabak.

Franca, e cila së bashku me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara janë pjesë e një grupi që ndërmjetëson në konfliktin e gjatë të dy vendeve, tha se ekziston mundësia për një përparim, por megjithatë një zgjidhje ende nuk është e sigurt.

Putini "ka bërë një punë të madhe dhe intensive me homologët e tij nga Baku dhe Jerevan", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

"Të dyja palët u përgjigjën, ministrat e jashtëm (Zohrab Mnatsakanian i Armenisë dhe Jeyhun Bayramov i Azerbajxhanit) janë në rrugë për në Moskë", tha Peskov.

Peskov shtoi se Putini nuk do të takohet me dy ministrat e jashtëm, pasi ata do të takohen vetëm me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.