Meta çon në KED 10 emra për një post në Kushtetuese

Dhjetë emra kanë aplikuar pranë Presidencës për postin e vakancës së përkohshme në Gjykatën Kushtetuese, të lënë nga ish-gjyqtari, Besnik Imeraj, për të tretën herë, pas dështimit të procesit në dy herët e para.

Kandidatët që Presidenti Ilir Meta do të çojë për vlerësim në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi janë Aleksandër Toma, Altin Binaj, Aldona Sylaj, Ardita Buna, Eugen Papandile, Ilir Haznedari, Klajdi Momne, Orkida Totojani, Përparim Kalo dhe Shaqir Hasanaj.

KED duhet të shqyrtojë listën dhe të rendisë kandidatët me sistem pikësh sipas aftësive. Më pas, një listë me 3 emra të përzgjedhur nga këta 10 kandidadë, gjithmonë nëse këto kandidatura do të kualifikohen nga ky institucion, i dorëzohet Presidentit,

Bashkë me këtë listë, Presidenti i dorëzon KED-së edhe thirrjen që të nisë menjëherë punën për verifikimin e kandidaturave dhe të tregohet transparente në rastet e pengesave të këtyre procedurave.

Presidenti i kërkon KED që të vijojë pa ndërprerje edhe procesin e vlerësimit të kandidaturave që i ka paraqitur për vakancën e lënë nga ish-gjyqtari, Besnik Muçi, i skualifikuar nga vettingu pak pasi u emërua gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Të njëjtën thirrje, Meta e drejton edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor që të vijojë punën për plotësimin e Gjykatës së Lartë, nga e cila duhet të dalin tre anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të 9 anëtarët e saj, në mënyrë që gjatë shqyrtimit të çështjeve, kjo trupë gjyqësore të mos ndeshet me asnjë pengesë proceduriale që bën të pamundur marrjen e vendimeve për themelin e pretendimeve kushtetuese të ngritura nga palët”, thotë Presidenti./h.e

©  Argumentum