Miratohet rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë (të reja)

Qeveria shqiptare ka miratuar rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë(të reja). Ajo u vendos në Këshillin Kombëtar të Punës në mbledhjen e sotme (16 tetor) nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj.

Ministrja Denaj gjatë fjalës së saj në KKP vlerësoi, se Qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhvilluar dhe promovuar më tej kulturën e dialogut social.

“Përfshirja e Qeverisë në Këshillin Kombëtar të Punës me 7 Ministri është një shëmbull i mirë i bashkëpunimit ndërinstitucional, sipas edhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Punës, shenjë e angazhimit në kuadër të përgjegjësisë sociale, u shpreh Ministrja, duke theksuar,  se  legjislacioni i punës përcakton kornizat ligjore dhe institucionale për dialogun social trepalesh, bisedimet kolektive dhe zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve të punës” – tha Denaj.

Rritja e pagës minimale ka qënë gjithmonë iniciativë e Qeverisë, në kuadrin e “Pagës së Denjë” për “Punë të Denjë”, duke patur në vëmendje edhe kërkesat e sindikatave, ndërkohë që  “përgjegjësia sociale” e biznesit për punën e denjë, është e matshme, përmes sigurisë së shëndetit në punë dhe veçanërisht me pagën reale dhe sigurimet reale shoqërore.

“Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM  nr.809 date 26.12.2018, duke u rritur  me  15.4 %,  tha Ministrja , duke shtuar, se me këtë synojmë ruajtjen e nivelit të jetesës për të punësuarit si në sektorin privat dhe atë buxhetor”.

Diskutimet  më pas u përqendruan në informimin  nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi masat e marra nga Qeveria për mbështetje financiare për punëdhënësit dhe punëmarrësit gjatë periudhës së shkaktuar nga pandemia Covid – 19, informimin  nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbi masat e marra për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe  informim nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për masat e marra për të siguruar distancimin fizik mes nxënësve për vitin e ri shkollor.

Ministrja Denaj  gjatë kësaj mbledhjeje i kushtoi vëmendje  zbatimit të legjislacionit  të punës,  veçanërisht për kohën e punës dhe pushimit. Lidhur më këtë një prezantim të detajuar  për anëtarët e KKP-së, dha Drejtori i Inspektoriatit Shtetëror të Punës.