Ndryshon ora! Akrepat lëvizin 60 minuta prapa

Akrepat e orës këtë të dielë lëvizën një orë prapa duke na mundësuar të flemë një orë më shumë.

Ora e re do të na shoqërojë deri të dielën e fundit të muajit mars 2021, kur do të spostohen sërish akrepat e orës.

Pedagogu i gjeografisë, Romeo Hanxhari shprehet se ndryshimi i orës ka ndikim në masë duke nisur që nga problemet shëndetësore e deri në rritjen e numrit të aksidenteve.

“Nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike ne jemi në të njëjtën pozitë me vendet e Europës Jugore, vende të cilat me siguri do të shkojnë drejt mbajtjes së orës ligjore, pra të orës së verës. Në tetorin e ardhshëm, ka me gjasa që ne nuk do ta ndërrojmë orën siç po ndodh këtë vit. Kjo bëhet dhe për shkakun sepse këto vende janë të varura nga turizmi, dhe kështu që bëhet fjalë për një orë aktivitet më shumë gjatë verës. Por edhe në dimër bëhet fjalë për një orë më shumë konsum. Edhe kriminaliteti ka një rënie me 3% gjatë muajve kur është ora ligjore”, shprehet Hanxhari.

Ndryshimi i orës në Evropë u vendos si ligj evropian në vitin 1981.

Zhvendosja e akrepave në Europën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ‘70-të, me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.

Megjithëse në prill do të mësojmë nëse viti 2021 do të shënojë fundin e ndryshimit të orës në fuqi për 54 vjet, sipas një vendimi te Bashkimit Europian.

Ndërsa diskutimi për mos ndryshimin e orës u bë në vitin 2018 nga Parlamenti Europian ku u la në doren e qeverive të shteteve përkatëse që të vendosin se cilën orë do të mbajnë.